A ekziston dashuria me shikimin e parë?

Reality show popullor “Love Is Blind” në SHBA, e mënjanon tërësisht konceptin e “dashurisë me shikim të parë”. Sepse në këtë shfaqje, pjesëmarrësit flasin me beqarët e tjerë në dhoma të ndara,dhe nuk e shohin personin tjetër derisa të bien në dashuri. Pastaj pas një kohe të shkurtër që kalojnë së bashku, çiftet duhet të bëjnë një zgjedhje.

A do të angazhohen të qëndrojnë përgjithmonë me njëri-tjetrin? Nga ana tjetër, sot për shumë beqarë përdorimi i aplikacioneve të takimeve në internet, do të thotë të mbështetesh shumë tek fotot, si një mënyrë për të tërhequr dhe vlerësuar partnerët e mundshëm.

Por çfarë mund të na thotë shkenca për fenomenin e “dashurisë me shikim të parë” dhe rolin e tërheqjes fizike? Ndërsa ekspertët dhe studiuesit, nuk e mohojnë se tërheqja fizike mund të jetë një pjesë e rëndësishme e procesit të njohjes fillestare, ai nuk është faktori më i rëndësishëm kur bëhet fjalë për dashurinë romantike afatgjatë.

Në parim, tërheqja fizike është një element vërtetë i rëndësishëm në krijimin e lidhjeve romantike. Sipas një studimi të botuar në vitin 2016 në “Frontiers in Psychology”, ajo është shpesh pika fillestare në marrëdhënie, dhe mund t’i ndihmojë njerëzit të lidhen në mënyrë që të nxisin një lidhje emocionale.

Helen Fisher, antropologe biologjike në Institutin Kinsej, e mbështet këtë gjë. Ajo thotë se nga një këndvështrim evolucionar, kur flitet për dashurinë romantike dhe gjetjen e një partneri të mundshëm, pamja fizike luan një rol. “Dashuria romantike evoluoi për të mundësuar këtë formë partneriteti; të tërhiqesh nga dikush aq gjatë sa të çiftohesh me të, dhe të trashëgosh ADN-në tënde”-thotë Fisher.

Sipas teorive tradicionale evolucionare “nuk ka shumë rëndësi nëse kaloni apo jo mirë, thelbi qëndron tek gjenet e mira” shton Aleksandër Bakster, një studiues i diplomuar në Universitetin e Kalifornisë, Davis. “Është mbijetesa e më të fortit, apo jo?”-shton ai.

Për të kuptuar më shumë rreth tipareve që kërkojnë beqarët tek një partner, Fisher së bashku me studiues të tjerë dhe mbështetjen e Match.com, kreu për 12 vite studimin “Beqarët në Amerikë”. Gati çdo vit që nga fillimi i studimit, tërheqja fizike u përfshi në 5 tiparet kryesore. Por për herë të parë, vitin e kaluar tërheqja fizike nuk u përfshi në këtë listë. Rezultatet e studimit sugjerojnë se pjesëmarrësit po u japin më shumë njerëzve një shans dhe po i njohin ata, në vend se t’i gjykojnë vetëm nga pamja e jashtme.

Sipas studimit, përqindja e njerëzve që janë dashuruar çmendurisht me dikë, të cilin fillimisht nuk e kishin parë si tërheqës, ishte më e larta edhe vitin e kaluar, me rreth 50 për qind që u përgjigjën “po”, krahasuar me vitin 2012, kur vetëm 38 për qind ishin lidhur me një partner që në fillim nuk i tërhiqte.

Pasi dikush bie në dashuri, pamja fizike e partnerit bëhet me kalimin e kohës gjithnjë e më pak e rëndësishme. Kjo për shkak se kur jeni ende në fazën e dashurisë të madhe, truri po e furnizon  trupin tuaj me kimikate që ju bëjnë të ndiheni mirë. “Kur bini në dashuri, jeni duke nxitur prodhimin në masë të dopaminës. Pra, kur një person merr papritur një kuptim të veçantë në jetën tuaj, çdo gjë rreth tyre bëhet e veçantë”-thekson Fisher.

Dopamina është një neurotransmetues i lidhur me kënaqësinë dhe shpërblimin. Është kimikati që na bën ta dëshirojmë atë person dhe të duam të kalojmë më shumë kohë me të, shpjegon Bakster. Kur një person është i dashuruar, mund të shtypen disa zona të trurit që lidhen me gjykimin e sjelljeve negative dhe bërjen e vlerësimeve të rëndësishme sociale.

Madje disa studiues kanë zbuluar nivele më të larta të oksitocinës, një hormon i lidhur me lidhjen intime. Kështu, nivelet më të larta të oksitocinës, mund të luajnë një rol se pse mund të injorojmë disa gjëra kur jemi të dashuruar – për të ndihmuar në procesin e lidhjes dhe ndihmuar në mbajtjen e njerëzve së bashku.

Nga ana tjetër, studiuesit thonë se këto “syze me ngjyrë trëndafili”, mund të jenë të dëmshme nëse po ju bëjnë të anashkaloni që në fillim sinjalet shqetësuese, apo edhe në fazat e mëvonshme të një marrëdhënieje. Ndoshta kjo rritje e dopaminës dhe oksitocinës ndihmon për të shpjeguar pse kënga e Kelly Clarkson “The Trouble With Love Is”, pretendon se dashuria është “si një drogë që të bën të verbër; dhe që do të të mashtrojë çdo herë”.

Bakster donte të kuptonte më shumë mbi përshtypjet e para, dhe mënyrën se si formohen marrëdhëniet romantike. Për ta zbuluar këtë, ai dhe studiues të tjerë përfshinë mbi 550 pjesëmarrës në takime romantike. Ata u anketuan paraprakisht për të matur tërheqjen e tyre romantike dhe seksuale ndaj njerëzve që takuan, dhe më pas për të zbuluar nëse ata ishin ende në lidhje apo nëse kishin ndryshuar dëshirat e tyre romantike.

Në fund, përputhshmëria dhe një tipar i njohur si “vlera e bashkëshortit”, rezultuan të ishin parashikuesit më të rëndësishëm të një marrëdhënieje romantike të mirë. Vlera e bashkëshortit, thotë Bakster, është në thelb “çdo tipar që sinjalizon fertilitetin ose gjenetikën, faktorë pozitivëpër shëndetin dhe që lidhen me mbijetesën”.

Kur flitet për gjetjen e dashurisë së vërtetë dhe funksionimin afatgjatë të një lidhjeje, eksperti thotë se gjithnjë e më shumë kërkime po tregojnë se kjo ka të bëjë me pajtueshmërinë dhe lidhjen, dhe më pak me tërheqjen fizike, veçanërisht kur kalon faza fillestare e muajit të mjaltit. Bakster thotë se duhet të pyesni veten:”Çfarë është vërtetë e rëndësishme për mua?”. Pasi të keni menduar mbi përgjigjen, mund t’u jepni më shumë njerëzve një shans.


Shtuar 5.06.2023 23:43