Buka e bardhë apo buka e zezë të shëndosh? Zgjidhet dilema
Nuk dini kë të zgjidhni bukën e bardhë apo të zezë sepse frikësoheni se do të shtoni në peshë? Një studim i ri sugjeron se nuk ka bukë të “mirë” apo të “keqe” kur bëhet fjalë për rënien në peshë.

Në fakt, efekti i dietës tek pesha trupore varet më shumë tek mënyra sesi organizmi i gjithkujt reagon ndaj ushqimeve të ndryshme.

“Ekziston nocioni se një bukë është më e mirë se të tjerat”, deklaroi dr. Evan Elinav, nga Instituti Shkencor Weizmann në Izrael, gjatë takimit vjetor të Shoqatës Amerikane për Zhvillimin e Shkencës, në Boston:

“Buka e prodhuar në furrë shihet si e “keqe”, ndërsa ajo e bërë në shtëpi si e “mirë”. Ne zbuluam se ashtu si çdo ushqim tjetër, reagimi i organizmit ndaj bukës është krejtësisht personal. Ky efekt i personalizuar është për çdo lloj ushqimi. Nuk ka asnjë ushqim të mirë, të keq apo super ushqim.”

Hulumtuesit shkencorë testuan dy lloje të ndryshme të bukës tek 40 njerëz. Ata monitoruan nivelet e sheqerit në gjak çdo 5 minuta për të parë se si reagonte trupi i tyre për disa javë.

Individët tek të dy grupet patën rritje të sheqerit në gjak pas ngrënies së njërës apo tjetrës bukë, ndërsa efekti i tyre në peshë ishte thuajse i njëjtë tek të dyja grupet. Kjo, thotë dr. Elinav, mbështet idenë që “përcaktuesi kryesor në mënyrën sesi organizmi reagon ndaj ushqimeve është bakteri i zorrës”.

Sipas dr. Elinav, duke krijuar një dietë të veçantë për çdo person, bazuar tek bakteri në zorrë, mund të “normalizohen” nivelet e sheqerit në gjak./Shendeti/
Shtuar më 28/02/2017, ora 17:46

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori