Michel nga Mali i Zi: Ballkani Perëndimor, partner strategjik i BE-së

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel tha gjatë një vizite në Malin e Zi se “BE-ja është e bashkuar në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe se trysnia sigurohet nga vazhdimësia e gjashtë paketave të sanksioneve”.

Ai falënderoi Malin e Zi për qëndrimin e tij ndaj krizës në Ukrainë dhe harmonizimin me politikën e jashtme të BE-së.

“Ballkani Perëndimor është një partner strategjik i BE-së. Mali i Zi ka qenë partner i BE-së për dekada dhe ka qenë plotësisht në përputhje me politikën e jashtme të BE-së për më shumë se dhjetë vjet, gjë që tregon përkushtimin tuaj për integrimin evropian”, tha zoti Michel gjatë një konference për shtyp të martën në Podgoricë, pas takimit me Presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.

Michel theksoi se Ballkani Perëndimor mbetet sot një përparësi strategjike i BE – së.

“Mali i Zi ka qenë një partner i qëndrueshëm për BE-në për shumë vite. Për më shumë se një dekadë, ai ka qenë tërësisht në përputhje me politikën tonë të jashtme dhe të sigurisë,” tha Michel.

Michel tha se Mali i Zi duhet të përmbushë kriteret për funksionimin e shtetit ligjor.

“Hapi tjetër është përmbushja e kritereve të përkohshme në fushën e sundimit të ligjit, që do t’i japë energji të re dhe do t’i mundësojë Malit të Zi të përparojë. Javën e ardhshme do të organizoj një takim të udhëheqësve të 27 vendeve anëtare të BE-së me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor. Ne qëndrojmë pranë rajonit juaj”, tha zoti Michel.

Michel shprehu besimin se Mali i Zi “do të ketë përparim të mëtejshëm në javët në vijim”.

Presidenti malazez Milo Gjukanoviç tha se takimi ishte një mundësi për të vënë në dukje se Mali i Zi, përmes ngjarjeve të dy viteve të fundit, ka dëshmuar të jetë një demokraci parlamentare funksionale.

“Gjëja e dytë për të cilën biseduam ishte situata në rajon. Theksova sërish se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është i barabartë me integrimin, kurse agresioni i Rusisë kundër Ukrainës vuri në dukje nevojën e shtuar për integrimin europian”, tha zoti Gjukanoviç.

Gjukanoviç tha se Rusia po dëmton marrëdhëniet me Europën dhe se “po përpiqet të fuqizojë në të gjitha mënyrat forcat politike të bazuara tek euroskepticizmi”. Sipas tij, Mali i Zi duhet të përmbushë përparësitë më të rëndësishme, siç është sundimi i shtetit ligjor.

“Kjo do të dërgonte një sinjal të mirë se politika e zgjerimit është e gjallë”, tha Gjukanoviç.

“Është e rëndësishme të kuptojmë se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE do të thotë siguri gjeopolitike”, shtoi presidenti malazez.