OBSH rëndit simptomat e pazakonta të COVID-19

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar më parë simptomat më të zakoshme të COVID-19, që janë temperaturë, lodhje dhe kolla e thatë. Simptoma të tjera janë rrjedhje hundësh, dhimbje grykësh, bllokim hundësh, dhimbje, diarre dhe humbje të shijimit dhe nuhatjes. Por ka edhe disa simptoma të pazakonta që kanë shfaqur pacientët. Cilat janë këto?

Gishti COVID

Disa pacientë, në vende të ndryshme, kanë shfaqur skuqje të gishtave të këmbëve, në shumë raste të pashoqëruara nga simptomat e zakonshme të virusit. Kjo gjendje është cilësuar si “gishti Covid” dhe mund të shfaqet në anë ose në pjesën e poshtme të këmbës, si dhe në duar apo gishta.

Konjuktiviti/ Syri rozë

Konjuktiviti ka qenë një simptomë e rrallë e koronavirusit me grimca virale që gjenden në lot. Sidoqoftë, nuk ka gjasa që një person të paraqesë konjunktivit viral sekondar ndaj Covid-19, pa simptoma të tjera të etheve ose kollës së vazhdueshme, pasi konjunktiviti duket se është një tipar i vonuar në rastet ku ka ndodhur.

Livedo ose nekroza

Një studim spanjoll, i botuar në Gazetën Britanike të Dermatologjisë javën e kaluar, zbuloi se 6% e 375 rasteve të koronavirusit të ekzaminuar, përfshinin nekrozë – vdekjen e indeve të trupit për shkak të mungesës së furnizimit me gjak, ose njolla në lëkurë. Nekroza u gjet edhe te njerëz me koronavirus, të cilët nuk kishin nevojë të shtroheshin në spital.

Marramendje/dhimbje koke

Një studim i 214 pacientëve në Kinë, botuar në Jama Neurology muajin e kaluar, zbuloi se pak më shumë se një e treta (36.4%) kishin përjetuar simptoma neurologjike si: marramendje ose dhimbje koke. Për momentin, komplikimet neurologjike mund të konsiderohen më së miri si pasojë e ashpërsisë së sëmundjes Covid-19 sesa një shqetësim i ri i veçantë.

Ndjesi shpimi/gazi

Disa pacientë janë ankuar për një ndjesi shpimi, gazi apo edhe djegieje. Dr Waleed Javaid, drejtori i parandalimit dhe kontrollit të infeksionit në spitalin Mount Sinai në Nju Jork, tha se ka të ngjarë që ndjesi të tilla t’i shkaktonte përgjigjja imune e pacientit ndaj COVID-19 dhe jo vetë virusi.


Shtuar 7.05.2020 16:27