Tensionet në veri/ Vuçiç refuzon të takojë Albin Kurtin gjatë Forumit të Paqes në Francë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se nuk beson se do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Paris.

Pas takimit me presidentin francez, Emmanuel Macron, ai tha para gazetarëve në Paris se ka ekzistuar mundësia që takimi të ndodhë, por se tashmë nuk beson më, duke mos dhënë më shumë detaje.

Një ditë më herët, Kurti, i cili poashtu sot gjendet në Paris, tha se mund të ndodhë një takim me Vuçiçin.

Kurti dhe Vuçiç po marrin pjesë në Forumin e Paqes, me ftesë të presidentit francez.

Vuçiç tha gjithashtu se presidentit francez ia ka përcjellë “zhgënjimin e popullit tonë në Kosovë e Metohi sepse ajo që ishte premtuar nuk u realizua”.

“Nuk ka arsye për të qenë optimist me Prishtinën. Macronit i thash se ne po kërkojmë vetëm targa neutrale ndaj statusit, siç është në marrëveshje”, tha Vuçiç.

Ai po ashtu ka deklaruar se i ka treguar presidentit francez se cilat janë kushtet për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, pa treguar detajet.

“Por ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë më pas”, ka shtuar Vuçiç, duke iu referuar kërkesës së Serbisë që Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Zyrtarë nga Kosova dhe Serbia kanë udhëtuar drejt Francës, në mes të krize në veri të Kosovës, pasi pjesëtarët e komunitetit serb u larguan nga institucionet e Kosovës.

Qeveria e Kosovës nisi më 1 nëntor të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, me gjithë insistimin e mëhershëm të komunitetit ndërkombëtar që ta shtyjë këtë plan.

Kosova kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës. Plani i saj parashihet të zbatohet në tri faza: e para, qortimi i shoferëve; e dyta, dënimi i shoferëve me 150 euro gjobë, dhe e treta, shpërndarja e targave provuese.

Shumica e serbëve në veri, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, e kundërshtojnë planin, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të tij, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Me 11 nëntor, me Kurtin dhe Vuçiçin në Paris, në takime të ndara, pritet të takohet edhe shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell./ Marrë nga REL