Aktiviteti i ulët i tiroideve zgjat jetën
Një studim i ri i shkencëtarëve holandezë thotë se një aktivitet i ultë i gjëndrës tiroide mund të jetë i lidhur me një jetë më të gjatë. Sido që të jetë, kërkuesit shkencorë tërheqin vërejtjen se ky zbulim ende nuk dëshmon se funksioni i ultë i gjëndrës tiroide është ‘burim i rinisë’.

"Në një studim të mëhershëm kishim vërejtur se fëmijët e moshës së mesme të prindërve që kishin jetuar gjatë, kishin funksione më të ulëta të gjëndrës tiroide, krahasuar me popullatën e përgjithshme", thotë Diana van Heemst nga Qendra mjekësore e Universitetit “Leiden” në Holandë.

"Me anë të studimit të ri, duam që të konstatojmë se a ka lidhshmëri midis jetëgjatësisë dhe funksionit të ultë të tiroides", thotë ajo.

Kërkuesit shkencorë kishin studiuar 859 fëmijë (vëllezër e motra) të 421 çifteve që kishin jetuar gjatë. Sikur që thuhet në revistën “Journal of Clinical Endocrinology and Metabolism”, jetëgjatësia e tyre mesatare prej 93 vjetësh, tejkalonte shumë mesataren e jetëgjatësisë në SHBA, që është 78 vjet.

Më pas ishte analizuar edhe niveli i hormoneve të tiroides në gjakun e këtyre fëmijëve, me ç’rast ishte parë se jetëgjatësia dhe niveli i ultë i këtyre hormoneve manifestonin një lidhshmëri evidente.

Mendohet se niveli i ultë i këtyre hormoneve ndikon që energjia e organizmit, në vend se për rritje dhe proliferim, të përdoret për ‘mirëmbajtjen’ dhe mbrojtjen e organizmit.

Këto rezultate janë të papritura, meqë deri tani, funksioni i zvogëluar i tiroides konsiderohej faktor rreziku për sëmundjet e zemrës. /albeu.com/
Shtuar më 25/02/2012, ora 14:44

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori