Juventus pranon fajësinë dhe gjobitet, nuk ka ankimim për heqjen e 10 pikëve, tani pritet vendimi i UEFA-s

Gjykata Federale Kombëtare ka pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë mes Juventusit dhe Prokurorisë Federale. Klubi bardhezi do të paguajë një gjobë prej 718,000 euro, por nuk do të bëjë ankim për procedurat.

U sanksionuan edhe ish-drejtuesit e Juventusit, Fabio Paratici, Pavel Nedved dhe Federico Cherubini. Përveç pozicionit të ish-presidentit Andrea Agnelli, që vendosi të mos negociojë, Gjykata Federale Kombëtare ka pranuar edhe sanksionet e tjera të propozuara ndaj ish-drejtuesve të Juventusit: 47 mijë euro gjobë për Fabio Paraticin, nga 35.25 mijë euro për Pavel Nedved dhe Federico Cherubini.

Sanksione edhe për Cesare Gabasio (18.5 mijë euro), Paolo Morganti (15 mijë euro), Giovanni Manna (11.75 mijë euro) dhe Stefano Braghin (10 mijë euro).

Ish-presidenti i Juventus, Andrea Agnelli, ka vendosur të mos negociojë. Ai do të paraqitet në gjyqin e caktuar për më 15 qershor 2023. Ky është urdhri i Gjykatës Kombëtare Federale:

“Gjykata Kombëtare Federale, seksioni disiplinor, duke mos shpallur përfundimisht, pasi ka pranuar kërkesën e përbashkët paraqitur nga Av. Davide Sangiorgio në interes të Andrea Agnelli dhe av. Giorgio Ricciardi, përfaqësues i Prokurorisë Federale, për të marrë një shtyrje për të vazhduar diskutimet tashmë të avancuara, me qëllim vlerësimin e një propozimi për një marrëveshje në përputhje me nenin 127 GTC; pasi e ka vlerësuar kërkesën të denjë për t’u pranuar, heq nga procedura aktuale qëndrimin e Andrea Agnelli, diskutimi i të cilit shtyhet për seancën e datës 15 qershor 2023, ora 10:30.”

Kësisoji, Gjykata Federale pranon marrëveshjen për pranimin e fajësisë në këmbim të gjobës për klubin e Juventusit, i cili nuk do të bëjë ankim për dënimin prej -10 pikësh. Historia përfundon këtu, renditja e kampionatit të Serie A është vendosur përfundimisht. Kualifikimi në Ligën e Konferencës (ose në Ligën e Evropës) do të ishte vendimtare për Juventusin në sezonet e ardhshme.

UEFA ka pritur vendimin e sotëm dhe më pas do të marrë një vendim të vetin ndaj klubit bardhezi, që mund të përfshijë përjashtimin nga Kupat e Europës. Megjithatë, kjo marrëveshje fajësie të lë të kuptosh se të gjitha palët janë dakorduar në heshtje; përjashto Andrea Agnelli, që do ta vazhdojë personalisht betejën gjyqësore.


Shtuar 30.05.2023 15:38

Tags: