OKB: 4.8 milionë qytetarë kanë humbur vendet e punës në Ukrainë

Organizata Ndërkombëtare e Punës së OKB-së, ka bërë me dije se gati një e treta e vendeve të punës në Ukrainë, 4.8 milionë vende pune gjithsej, janë humbur që nga pushtimi rus.

“Ndërprerjet ekonomike, të kombinuara me zhvendosje të rënda të brendshme dhe flukse refugjatësh kanë shkaktuar humbje në shkallë të gjerë për sa i përket punësimit dhe të ardhurave”, tha ILO.

Në raportin e saj të parë mbi pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë, kjo organizatë vlerësoi përpjekjet e Kievit për të mbajtur funksionimin e sistemit të mbrojtjes sociale të Ukrainës.

“Qeveria e Ukrainës është plotësisht funksionale, si dhe punëdhënësit dhe organizatat e punëtorëve. Ne vazhdojmë t’i mbështesim në mënyrë që të jemi të gatshëm t’i ndihmojmë në situatën aktuale, por shpresojmë edhe në fazën e rindërtimit pas përfundimit të këtij konflikti”, tha në një konferencë për shtyp Heinz Koller, drejtori rajonal i ILO-s për Evropën dhe Azinë Qendrore./albeu.com