Berisha në Lushnjë: Kandidatët e PS-së burojnë nga bodrumet e Edi Ramës

Ish-kryeministri Sali Berisha pasditen e kësaj të mërkure është ndalur në Lushnje ku ka prezantuar kandidatin e kolaicionit “Bashkë Fitojmë”, zotin Eduart Sharka.

Nga Lushnja Berisha i bëri thirrje qytetarëve që të votojnë alternativën të cilën ata vetë e kanë zgjdhur. Sipas tij. Lushnjarët kanë dy alternativa, njëra që buron nga ta pasi i kanë zgjedhur vetë kandidatët gjatë Primareve dhe alternativa e dytë, sipas Berishës buron nga “bodrumet e Edi Ramës.”

VOTONI- KUSH FITON NË LUSHNJË

Ai akuzoi Ramën se nuk paraqet para qytetarëve alternativa dhe nuk jep llogari, por përdor fjalor banal.

Berisha:  Ne erdhëm në përfundimin e kësaj fushate elektorale, me përpjekjen më të madhe që në epiqendër të saj të jeni ju, banorët, qytetarët e Lushnjesh, të jenë qytetarët shqiptarë, me problemet e tyre, me projektet për zgjidhjen e këtyre problemeve. Sot në Lushnje dhe mbarë Shqipërinë garojnë dy alternativa.

Njëra alternativë që buron nga ju, kandidatët i keni zgjedhur ju. Kandidatët që keni zgjedhur kanë trokitur derë më derë, zemër më zemër. Kanë ndërtuar një program kryekëput për qytetarët. Kandidatët që keni zgjedhur, i keni zgjedhur me vetitë më të arrira dhe ju garantoj se programi i tyre do të ndryshojë Lushnjen dhe Shqipërinë.

Në krahun tjetër, janë kandidatët e bodrumit të Edi Ramës, që nuk kanë lidhje me qytetarët, për të cilët nuk ka votuar asnjë qytetar i vetëm dhe që nga mëngjesi në darkë u thuri lavde, njeriut që kalon nga sheshi në shesh me zorrën qorre në gojë. Me disa me shprehje halabaku. Njeriu që në vend të paraqesë alternativë para jush, të japë llogari para jush përpiqet të mbrohet me shprehje banale, përdor një fjalor me të cilin tregon qartësisht se për atë qenie ju nuk ekzistoni.

Sepse përpiqet me çdo kusht, që me atë fjalor, tallavanë e tij të mbulojë, maskojë sadopak vjedhjen e tmerrshme që ai u ka bërë gjatë këtyre 8 viteve. Të përpiqet të mbulojë sadopak dhunimin masiv të të drejtave tuaja gjatë këtyre viteve. Të përpiqet të mbulojë sadopak përzënien, dëbimin nga Shqipëria të 1/3 së lushnjarëve, 1/3 së shqiptarëve.

Të përpiqet të mbulojë sadopak braktisjen e plotë të fshatit shqiptar, dramën që ai u krijoi bizneseve në qytete, por në mënyrë të veçantë dramën e madhe që u krijoi bizneseve në fshatrat e Myzeqesë dhe mbarë Shqipërisë.

Asnjëherë fshatarët shqiptarë nuk kanë pasur një regjim më armik se ky, një regjim që i takson ata në mënyrë të njëanshme, një regjim që i hap kufijtë për të lënë në fushë prodhimet e tyre, një regjim që krijon monopolin e imputeve dhe bën që dengu i barit të kushtojë shumë më tepër se qumështi i prodhuar.

Ka krijuar mbi vendin një rrjet mafioz në të cilin zyrtarët pasurohen, majmen, qeveritarët vjedhin miliona e qindra miliona, kurse shqiptarët ikin dhe vetëm ikin si njerëz të pashpresë paçka se toka e tyre është një parajsë e vërtetë./Albeu.com.


Shtuar 10.05.2023 17:52