17 maj, Gay-it paradë në Tiranë
Këtë 17 maj 2012, Ambasada Pink do të "pushtojë" një nga sheshet kryesore të Tiranës për të festuar Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe për të ngritur flamurin LGBT në shenjë respekti ndaj të gjithë komunitetit LGBT në Shqipëri.

Kështu është bërë publike nga Ambasada "Pink". Sipas Altin Hazizajt, ngritja e flamurit të këtij komuniteti do të bëhet nga disa pjesëtar të këtij komuniteti dhe përgjatë paradës së flamurit ata do të ecin drejt kryeministrisë për t'ia dorëzuar këtë flamur kryeministrit të vendit. Ai spjegon se ende nuk janë përcaktuar detajet se ku do të zhvillohen këto aktivitete.

Këto parada edhe kur janë zhvilluar në botë janë shoqëruar me probleme dhe konflikte, si parada e fundit që u bë në Rusi. "Nuk do të ketë paradë të individëve, por do të bëhet parada e flamurit të LGBT dhe dorëzimi i tij pranë zyrës së Kryeministrit, si një shenjë kërkese, që Qeveria Shqiptare të bëjë më shumë në drejtim të respektimit, garantimit dhe promovimit të të drejtave të komunitetit LGBT në çdo cep të Shqipërisë.

Ende nuk është përcaktuar sheshi se ku do të nisi parada dhe disa detaje të tjera në lidhje me aktivitetet që do të zhvillohen gjatë asaj dite", - ka thënë Hazizaj.

Sipas përfaqësuesve të Ambasadës "Pink", pjesa më e madhe e komunitetit LGBT jeton pikërisht në kryeqytet. Ndërsa pjesa tjetër e këtij komuniteti që jeton jashtë Tiranës, jeton thuajse i gjithi nën frikën e dhunës, përjashtimit, përbuzjes dhe mungesës së respektit për të drejtat e tij.

Për këtë qëllim Ambasada "Pink", së bashku me të gjithë partnerët, shoqata, institucione dhe komunitet, do të jenë nga mëngjesi i datës 17 maj e deri në mesnatë, në një nga sheshet kryesore në qendër të kryeqytetit, për të festuar diversitetin e shoqërisë dhe për të sensibilizuar institucionet, familjet dhe shoqërinë për detyrimin e tyre për të respektuar të drejtat e çdo personi gay, lezbike, biseksual dhe transeksual, kudo ku ata janë. /albeu.com/
Shtuar më 22/03/2012, ora 09:30

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori