3 minuta për një çokollatë të ngrohtë në mëngjes
Mënyra më e mirë për t’u ngrohur në mëngjes është një filxhan me kakao të ngrohtë ose çokollatë e ngrohtë. Por ajo që mund të përgatitësh vetë për tre minuta mund të jetë edhe më e shijshme. Vetëm me qumësht të ngrohtë dhe çokollatën e preferuar.

Problemi më i madh që ndesh shumica e njerëzve kur duan të bëjnë çokollatë të nxehtë në shtëpi është përzierja e çokollatës me qumësht. Tani harroje blender-in. E vetmja mënyrë për të përzier qumështin e ngrohtë bashkë me çokollatën është një kavanoz qelqi hermetik, i cili e bën përzierjen më të lehtë.


Të duhen vetëm tre minuta dhe çokollata e ngrohtë është gati. Sipas dëshirës, mund të shtosh edhe pak vanilje (1/4 lugë çaji) ose ekstrakte menteje për një shije më të veçantë, shkruan Living. Po ashtu, në fund mund të shtosh edhe ëmbëlsira të tjera për dekor.

Çokollatë e ngrohtë

Përbërësit:

1 filxhan qumësht sipas dëshirës (çdo lloj qumështi që preferon)

1/4 filxhan çokollatë sipas dëshirës

Sheqerna të ndryshme (për garniturë)

Përgatitja:

1. Në një kavanoz qelqi, përziej qumështin dhe çokollatën.

2. Fute në mikrovalë për rreth 1 minutë e 10 sekonda, ose derisa çokollata të fillojë të lëshojë flluska të vogla dhe të ketë filluar të trashet.

3. Hiqe me kujdes (me një peshqir kuzhine ose një dorezë furre.) Sigurohu që është e mbyllur mirë me kapak dhe shkunde për disa sekonda derisa çokollata të jetë shkrirë plotësisht.

4. Hape me kujdes kapakun, hidhe në një gotë të madhe dhe hidhi sipër ëmbëlsira të vogla sipas dëshirës.

Shënim:

Nëse nuk ke mikrovalë në shtëpi, përdor një mënyrë tjetër: ngrohe qumështin në një tigan të vogël të thellë në zjarr të ulët derisa të vlojë. Ndërkohë, vendose çokollatën në një kavanoz të thellë (qelqi, me kapak). Hidh qumështin e nxehtë mbi çokollatë dhe përzieje për disa sekonda.
Shtuar më 27/03/2017, ora 09:54

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori