“Kupa ka filluar të derdhet”, Ruçi vendos afat të prerë për Kushtetuesen

Kreu i Parlamentit, Gramoz Ruçi në nisjen e sesionit të ri parlamentar thotë se Këshillit të Emërimeve në Drejtësisë iu desh një vit për të shqyrtuar vetëm dy vakanca për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, duke i hedhur poshtë kandidaturat.

Ruçi theksoi se nga janari i vitit të ardhshëm kjo gjykatë duhet të bëhet funksionale.

Fjala e Ruçit:

Në takimin që zhvilluam në maj, unë u bëra apel institucioneve të drejtësisë pa cenuar aspak pavarësinë e tyre që t’u japin fund zvarritjeve në bërjen funksionale të organeve të sistemit. Pas takimit me Presidentin e Republikës më 30 qershor, i kërkova KED-së nëpërmjet një letre që ajo të përshpejtojë procedurat për verifikimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese që ajo të jetë funksionale për vendimmarrje ku kërkohen të paktën 6 anëtarë.

KED pas miratimit të amendamenteve, vendosi mos miratimin e kandidatëve për dy vende vakante të shpallura gjatë periudhës së kaluar nga Kuvendi dhe Presidenti, por kësaj KED-je iu desh gati një vit të shqyrtonte vetëm dy vakanca. Për këto vonesa të gjata, tashmë kupa ka filluar të derdhet dhe ky shpërpjesëtim i investimit të Kuvendit nuk duhet toleruar më.

Edhe pse Kuvendi ka hapësira tepër të kufizuara, ne nuk duhet të falim asnjë vonesë. Gjykata Kushtetuese duhet bërë funksional dhe më 1 janar 2021, gjyqtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese duhet të fillojnë nga puna. Çdo institucion i shtetit i përfshirë në këtë proces ta lexojë qartë këtë apel që po bëj në nisjen e këtij sesioni.


Shtuar 7.09.2020 15:40