PD akuza Ramës: Gënjeu për listat e hapura

Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka mashtruar me listat e hapura.

Në një reagim, sekretari i përgjithshëm, Gazment Bardhi thotë se propozimi i PS janë listat e mbyllura 100%.

“Edhe kësaj here u provua se Edi Rama “tjetër thotë dhe tjetër bën”. Sot doli zbuluar para çdo shqiptari! Nuk ka merakun së votës së qytetarëve, se nuk e ka patur që prej 22 viteve në politikë. Propozimi zyrtar i PS është: Listë e mbyllur 100 %, por ndryshim i rregullave për formulën e koalicioneve dhe shpërndarjen e mandateve. PD dhe Opozita e Bashkuar e ka paralajmëruar këtë që nga dita e parë.

Qëndrimi i PD dhe Opozitës së Bashkuar është i qartë: Listë e hapur 100 % dhe kërkesë zyrtare për OSBE-ODIHR nëse mund të ndryshohen rregullat për formulën e koalicioneve dhe shpërndarjen e mandateve 6 muaj përpara zgjedhjeve. Edi Rama nuk mund të fshihet më pas propagandës! Hilet nuk e ndihmojnë, por e demaskojnë edhe kësaj here si një mashtrues në panikun e humbjes”, thotë Bardhi.

Sot Këshilli Politik nderpreu punimet për shkak se opozita nuk ka pranuar diskutimet mbi draftin e paraqitur ne Këshill nga mazhoranca.


Shtuar 18.09.2020 12:44