Diplomohet brezi i parë i studentëve të Universitetit Epoka
Në një ceremoni madhështore, organizuar në kampusin e Universitetit Epoka, u zhvillua Ceremonia e Diplomimit për vitin akademik 2010-2011. Në këtë ceremoni 70 studentë të Fakultetit të Shkencave Ekonomike dhe Administrative, si dhe atij të Arkitekturës dhe Inxhinierisë përmbyllën me sukses studimet në ciklin Bachelor dhe Master.

Ceremonia u hap me antonimin e Himnit të Shqipërisë dhe me fjalimin e studentit më të mirë të Universitetit Epoka, Esmir Demaj.

Mandej, duke folur para të pranishmëve, prindër, familjarë, përfaqësues të institucioneve shtetërore shqiptare dhe miqve ndërkombëtarë, përfaqësues të mediave, profesorë dhe studentë, Rektori i Universitetit Epoka Prof. Dr. Hasan Kaplan deklaroi:
“Kjo ceremoni është kurorëzimi me sukses i një përkushtimi disavjeçar për të studiuar dhe për të ndërtuar një dije dhe një personalitet lideri në profesionet e zgjedhura nga ju, me qëllim të arritjes së një cilësie më të lartë jetese për ju dhe shoqërinë shqiptare”.

“Institucionet arsimore turke operojnë në Shqipëri prej 18 vitesh, ndërsa Universiteti Epoka, si vazhdimësi e suksesit të tyre, sapo mbushi vitin e tij të katërt. Megjithëse i çelur në vitin 2007, Epoka ka arritur të shndërrohet në një Universitet me profil ndërkombëtar. Si rrjedhojë e rëndësisë së madhe që i jep ndërkombëtarizimit, Epoka ka arritur të firmosë 36 Memorandume Bashkëpunimi me Universitete në Evropë, Azi dhe SHBA. Sot në kampusin e Universitetit Epoka ka studentë dhe akademikë nga 15 vende të botës”, theksoi Prof. Hasan Kaplan.

Rektori gjithashtu vuri në duke se Epoka është Universiteti i parë në vend që ka marrë certifikatën e cilësisë ISO për menaxhimin.

Me nga një fjalë rasti, ceremoninë e kanë përshëndetur edhe Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe të Komunikimit Genc Pollo, Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë Hasan Sevilir Aşan, Rektori i Universitetit Fatih Prof. Dr. Şerif Ali Tekalan, përfaqësues të Universiteteve të tjera në vend, si dhe botës së biznesit.

Pas fjalëve përshëndetëse ka vijuar ceremonia e diplomimit, me betimin e të porsadiplomuarëve dhe me marrjen e diplomave.

Manifestimi është përcjellë me çaste të zgjedhura muzikore, ndërsa madhështinë ia kanë shtuar miqtë e shumtë, të cilët kanë nderuar ceremoninë e diplomimit.

Universiteti Epoka është pjesë e vazhdimësisë së suksesit të Kolegjeve Turke në Shqipëri, ndërsa Universiteti është i akredituar. Epoka ka ndërtuar një kampus model në afërsi të Aeroportit të Rinasit si dhe ka përgatitur infrastrukturë moderne për të përthithur studentë dhe staf të përgatitur nga e gjithë bota. /albeu.com/
Shtuar më 20/06/2011, ora 15:44

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori