Krasniqi, përgjigje negative EULEX-it
Jakup Krasniqi
Përkundër presioneve të vazhdueshme politike, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nuk ka lëshuar pe sa i përket çështjes së imunitetit të deputetëve që janë nën hetime. Ai të premten në orët e pasdites ia ka kthyer përgjigjen negative, shefit të EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac. Këtë e ka konfirmuar për “Zërin” kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili ka thënë se letra që i është dërguar EULEX-it, nuk ka pësuar ndryshime përmbajtjesore nga drafti i parë.

“Letra ka mbetur e njëjtë. Ka pasur disa ndryshime, të cilat më shumë kanë qenë gjuhësore, se sa përmbajtjesore”, tha ai.

“Ne ia kemi bërë të ditur EULEX-it, se iniciativën për heqjen e imunitetit mund ta bëjë vetëm Prokurori i Përgjithshëm, bazuar në Nenin 9, pika 3 e Ligjit për Deputetët”, ka thënë Krasniqi.

Sipas draft-letrës, të cilën e kishte siguruar gazeta “Zëri”, potencohet se bazuar në Kushtetutën e Kosovës, qeveria vetë mund të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese interpretim për imunitetin e deputetit.

“Në rastin konkret, do të ishte normale që qeveria e cila ka shprehur interes për një rezolutë të tillë, ta paraqesë këtë iniciativë në Kuvend dhe Kryesia e Kuvendit do ta trajtojë atë sipas rregullores së Kuvendit dhe shqyrtimi i saj do të bëhet në pajtim me rendin e përcaktuar në rregulloren e Kuvendit”, thuhet ndër të tjera në letrën e Jakup Krasniqit. Sipas kësaj letre, nuk ka nevojë të miratohet një rezolutë përderisa qeveria me Kushtetutë i ka të përcaktuara të drejtat e saj në këtë drejtim.
Shtuar më 16/07/2011, ora 12:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori