Punë në Gjermani dhe bashkim familjar? Çfarë po ndodh në ambasadë në Tiranë

Pandemia zgjat kohën e pritjes në ambasadat gjermane për bashkim familjar, bëhet e ditur nga një përgjigje e qeverisë gjermane në Bundestag.

Më shumë se një vit duhet të presin familjet nga Kosova e Serbia për t’u bashkuar me të afërmit e tyre në Gjermani. Ndërsa në ambasadat e Sarajevës dhe të Tiranës pritja për vizë bashkimi familjar shkon deri në dhjetë muaj, në Shkup deri në tetë muaj.

Këto shifra i jep qeveria gjermane në përgjigje të një pyetjeje me shkrim, të shtruar nga grupi parlamentar i liberalëve (FDP) në parlamentin gjerman (Bundestag), mbi gjendjen e digjitalizimit të procedurës së dhënies së vizave sipas rregullores se Ballkanit Perëndimor.

Kjo do të thotë se kohëzgjatja në pritje për një takim në ambasadë është zgjatur edhe më shumë, nga mesatarisht gjashtë deri tetë muaj që kishte qenë deri në mars të këtij viti për vizën për bashkim familjar, siç dilte në pah kohë më parë (prill 2020) nga një studim evaluimi i Entit të Punës për Rregulloren e Ballkanit Perëndimor.

Vonesa pandemie

Qeveria gjermane e argumenton këtë zgjatje me mbylljen e ambasadave gjatë Covid 19. Që nga 2 korriku 2020, ambasadat kanë nisur sërish të japin viza për një sërë rastesh të justifikuara, siç janë ato të bashkimit familjar. Përveç mbylljes së ambasadave, janë edhe masat e higjienës, që e ngadalësojnë edhe më shumë procedurën e dhënies së vizave. “Kështu për shembull, numri i njerëzve që duhet të jenë njëkohësisht në zyrat e pritjes dhe në sportelet e dhënies së vizave është i kufizuar, e kjo bën që koha e pritjes deri në takim në ambasadë, të bëhet më e gjatë”, argumenton qeveria në përgjigjen e saj.

Ndryshe qëndron puna me personat që vijnë në Gjermani me punë. Vetëm në Beograd, ata duhet të presin dy deri në tre muaj, e në Tiranë deri në tre muaj, deri sa të marrin një takim në ambasadë, shkruhet më tej në përgjigje. Në konsullatat e tjera të Ballkanit Perëndimor, nuk ka nevojë për pritje për vizë pune.

Rregullorja e Ballkanit Perëndimor

Më 26 gusht 2020 qeveria gjermane miratoi zgjatjen e së ashtuquajturës Rregullore të Ballkanit Perëndimor. Ajo u lejon edhe personave me kualifikim të ulët të vijnë në Gjermani për të punuar, nëse kanë një kontratë pune.

Ndryshe nga rregullorja aktuale, që ekziston prej vitit 2016, rregullorja e mëpasshme, që pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2021, parashikon një kufizim të kontingjentit prej 25.000 vetësh në vit. Sipas partisë opozitare liberale, zgjatja e rregullores së Ballkanit Perëndimor, e cila është kaq e vlefshme ekonomikisht, ishte veprim i drejtë, por jo kufizimi i numrit të personave.

Qeveria gjermane e justifikon këtë masë kufizuese me kapacitetet nëpër ambasada. Ndërsa liberalët propozojnë që në vend që të kufizohet numri i imigrantëve, më e udhës është që „ambasadave gjermane t’u jepet një mbështetje më e fortë në përpunimin e vizave“. Prej vitit 2021 Gjermania ka vendosur të hapë një Ent Federal për Çështje të Jashtme por ende është e paqartë se sa do të merret kjo zyrë edhe me vizat e Rregullores së Ballkanit Perëndimor.

Qeveria gjermane shpjegon ndër të tjera në përgjigjen e saj se procedura e lënies së takimit në ambasada është tërësisht e digjitalizuar në të gjitha ambasadat. Kërkesat si për vizat nacionale, ashtu edhe për ato Schengen, parashtrohen në internet: kërkesat për vizë dhe të dhënat pajisen me një kod digjital, me anë të të cilit mund të lexohen direkt nga sistemi i brendshëm i Gjermanisë.

Në të njëjtën mënyrë kalojnë edhe shenjat e gishtërinjve dhe fotografitë. Të dhënat përpunohen në mënyrë digjitale e të automatizuat nga Enti Federal i Administratës. Ndërsa vizat Schengen përpunohen në mënyrë të automatizuar, dokumentet e nevojshme për vizat nacionale kalojnë ende në rrugë postare nga njëra zyrë te tjetra.

Më 9 tetor 2020 rregullorja e Ballkanit Perëndimor do të shtrohet për miratim në Dhomën e Landeve (Bundesrat). Mbas kalimit në Bundesrat, rregullorja hyn në fuqi më 1 janar 2021. /DW


Shtuar 21.09.2020 19:05