Më i riu 57 vjeç, COVID-19 vret 2 pacientë të tjerë të infektuar

Dy pacientë kanë ndërruar jetë nga koronavirusi gjatë 24 orëve të fundit, një 57 vjeçar dhe një 65 vjeçare nga Tirana, me sëmundje të bashkëshoqëruese. Po gjatë këtyre orëve, janë kryer 810 testime dhe janë konfirmuar 152 raste.

Rastet ditore të identifikuara si rezultat i gjurmimit, testimit dhe hetimit epidemiologjik janë si vijon: 68 raste në Tiranë, 16 në Elbasan, 11 në Durrës, 9 në Shkodër, 8 në Vlorë, nga 7 raste Kavajë, Berat, nga 5 raste Fier, Pukë, 3 në Lushnje, nga 2 raste në Kamëz, Gramsh, Kuçovë, nga 1 rast në Lezhë, Mirditë, Rogozhinë, Mat, Vau i Dejës, Divjakë, Dibër.

53 qytetarë janë shëruar në 24 orët e fundit, duke e çuar në 6668 që nga fillimi i epidemisë. Situata në spitale vijon të jetë e qëndrueshme, njofton Ministria e Shëndetësisë. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 171 pacientë, 18 në terapi intensive nga të cilët 8 pacientë janë të intubuar.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përmes strukturave të shtuara të epidemiologëve vijon identifikimin, gjurmimin dhe hetimin e rasteve të dyshuara me COVID19, me qëllim izolimin e vatrave të infeksionit. Angazhimi i shtuar i epidemiologëve në terren bëhet akoma edhe më i domosdoshëm me fillimin e viti të ri shkollor, ku mësuesit dhe nxënësit do të kenë prioritet për testimin.

Mësuesit për çdo shqetësim duhet të kontaktojnë me koordinatorin e shkollës, i cili lidhet me strukturat e shëndetësisë për t’ju përgjigjur çdo problematike, si dhe për të identifikuar dhe izoluar në kohë çdo rast të dyshuar.

Është shumë i rëndësishëm në këtë moment, kur shtohet rreziku me hapjen e shkollave, bashkëpunimi i të gjithë qytetarëve për të kufizuar përhapjen e infeksionit. Është e rëndësishme të respektohen rregullat e higjienës, distancimit dhe përdorimit të maskës kudo në ambientet e mbyllura dhe në çdo ambient publik ku nuk mund të ruani distancën.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju rikujton numrin unik të urgjencës kombëtare 127, në rast se keni shenja të sëmundjes dhe dyshoni se jeni i prekur nga COVID19.

Qëndroni në kontakt me mjekun e familjes dhe për çdo informacion të sigurt rreth koronavirusit, mund të telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40 të vendosur në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.


Shtuar 15.09.2020 14:23