Rama tregon sa miliona dollarë humbi arka e shtetit nga pandemia

Kryeministri Edi Rama ka zbuluar shifrën që pandemia e COVID-19 i shkaktoi arkës së shtetit.

Sipas tij, 190 milionë dollarë i janë dhënë qytetarëve dhe bizneseve në kohën e karantinës.

Ndërsa javën e ardhshme, Rama tha se premtimet e bëra nga qeveria do të ballafaqohen me shifra.

“Ky është numri i bizneseve që regjistrohen mesatarisht në Shqipërinë ku po mbyllen të tëra, sipas atyre që bëjnë sikur kanë ardhur nga hëna. Mesatarisht 14 121 biznese regjistroheshin në vitet 2009-2013 gjatë një viti.

Mesatarisht 20 785 biznese janë regjistruar çdo vit nga 2014-2019 dhe për 2020 presim ende. Pra 47% rritje e regjistrimit.

Këto fakte, shifra, të gjitha janë në regjistra zyrtarë dhe të lidhura me kontribute, taksa, sigurime shoqërore dhe shëndetësore. Nuk janë shifra parlamenti. Flas për diskutimet në hava.

Një shifër, që duhet thënë përtej pagave të luftës, përtej pagës direkte 400 mijë, heqja e kësteve të tatimit të thjeshtuar të fitimit dhe shtyrja e kësteve të tatimit mbi fitimin ka një efekt 19.1 miliard lekë të reja.

190 milion dollarë që i janë lënë biznesit, kompanive, të gjithë atyre që në vështirësi të mëdha të shkaktuara nga COVID nuk u lanë vetëm. Ky është fakt. Janë 190 milion që nuk erdhën në arkën e shtetit.

Se nga shteti me të drejtë kërkojmë shumëçka, pa të drejtë kërkojmë edhe qumësht dallëndyshe, ndërkohë që shteti funksionin me këto të ardhura dhe u janë lënë biznesit. Nuk më rezulton që po i lëmë një tullë mangut gjithë programit masiv të rindërtimit, që po i lëmë një mbështetje, një kujës, një vëmendje, një dorë të shtrirë mangut të gjithë sektorëve dhe njerëzve në çdo sektor.

Shumë shpejt javën e ardhshme do të flasim për të tjera dhe të tjerë dhe do ti marrim me radhë, të gjitha zotimet tona dhe do ti ballafaqojmë me shifra dhe fakte dhe jo me perceptime që krijohen, duke përsëritur çdo ditë shpifje, akuza, sajesa, apo duke e kundruar realitetin shqiptar jo nga terreni i punës, por nga terreni i llafeve”, tha Rama.

Rama


Shtuar 22.09.2020 14:00