E kërkonte Interpoli, kapet shqiptari me rrezikshmëri të lartë

“Fundjava” ka bërë të mundur arrestimin e një 40-vjeçari nga Lezha, për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal”, “Shfrytëzim prostitucioni”, “Shkelje e ligjit mbi drogat”, “Vjedhje dhe posedim i sendeve të paligjshme” dhe “Emigracion i paligjshëm”, të parashikuara nga Kodi Penal italian.

Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve mes ZQK Interpol Tirana, Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe zyrës ndërlidhëse Interforza, u bë i mundur finalizimi i operacionit të koduar “Fundjava”.

Si rezultat i operacionit, në qytetin e Lezhës, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit Gjergj Mirashi, 40 vjeç, banues në Lezhë (i dënuar me parë).

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Venecias, Itali, më datë 20.06.2017, e ka dënuar me 11 vite e 8 muaj burg, për kryerjen e veprave penale në fushën e narkotikëve.

Arrestimi provizor u krye me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme procedurale.


Shtuar 13.09.2020 09:12