Igli Cara për Durrësin, Berisha prezanton kandidatin e “Bashkë Fitojmë”, kush ishte i pranishëm

Ish-kryeministri Sali Berisha ditën e sotme ndodhej në Durrës ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë fitojmë”  në zgjedhjet vendore, Igli Cara.

Berisha shoqërohej nga drejtuesi politik i qarkut, Oerd Bylykbashi, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe deputetja Albana Vokshi.

U vërejt se deputeti Ferdinand Xhaferaj nuk ishte i pranishëm në sallë.

Bylykbashi tha se më 14 maj durrasakët kanë një detyrë, të votojnë për të ndërshkuar pandëshkueshmërinë dhe arrogancën e personave që qeverisn Durrësin.

Nga ana tjeter, kreu i PL-së bëri thirrje që të vvazhdojnë të bashkuar drejt 14 majit për t’i thënë “Po” ndryshimit me Igli Carën.

Ndërsa Berisha deklaroi se Igli Cara të gjitha potencialet e mëdha të këtij rrethi të bekuar do t’i shndërrojë në shërbime për qytetarët e tij.

Sipas tij, më 14 maj në një mision historik durrsakët me Igli Carën në krye do rivendosin në Durrës pluralizmin e do i thonë ndal së keqes duke i ftuar të votojnë ndryshimin.

Berisha: Mesazhi juaj në këtë ditë të shenjtë dy herë, ditë Ramazani, por edhe prag i pashkëve është një mesazh që tejkalon Durrësin dhe pushton mbarë Shqipërinë. Është një mesazh fantastik, është një mesazh historik. Mesazhi juaj është mesazhi i ndryshimit të Durrësit. Mesazhi juaj është për mbarë shqiptarët, ndryshimi i Shqipërisë, mesazhi juaj është mesazhi i pashuar i shpresës te shqiptarët. Qytetarë të Durrësit ne sot jemi këtu për idealet tona të lirisë. Jemi sot këtu për idealet më fisnike të njeriut, për të mbështetur së bashku Igli Carën, kandidatin e lirisë, kandidatin e vullnetit tuaj, qytetarin shembullor, intelektualin e shkëlqyer, politikanin e urtë, të vendosur, njeriun që sintezën në një virtytet morale më të mira tuajat, dashurinë e pakufishme për durrsakët, për Durrësin, plazhet, fshatrat, qytezat.

Është nder i madh për mua të paraqes para jush Igli Carën, me bindjen më të thellë se Igli Cara me besimin tuaj, me votën tuaj, me mbështetjen tuaj do të dëshmohet një shërbëtor i përulur para jush, një drejtues, zyrtar i përkushtuar para qytetarëve të Durrësit. Igli Cara me mbështetjen tuaj do ndryshojë Durrësin dhe do ndikojë në ndryshimin e mbarë Shqipërisë. Igli Cara të gjitha potencialet e mëdha të këtij rrethi të bekuar do t’i shndërrojë në shërbime për qytetarët e tij. Më 14 maj ju me Igli Carën në një mision historik do rivendosni në Durrës pluralizmin. Më 14 maj ju me Igli Carën do t’i thoni ndal së keqes. Mençuria e durrsakëve fton çdo qytetar të votojë ndryshimin.

/Albeu.com/


Shtuar 8.04.2023 11:56