Harta e padrejtësive, ose iluzioni i drejtësisë në Shqipëri

Nga Av. Altin Hazizaj*

 

1 Qershori është Dita e Fëmijëve, një ditë feste, ku ngazëllohen fëmijë e të rritur. Por Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) e harroi këtë fakt, kur vendosi në këtë datë të bëjë publik vendimin për miratimin e Hartës së re Gjyqësore të Shqipërisë.

Që atë ditë, nuk munguan zërat kundër, më së shumti politikë, por me kalimin e ditëve, zërat kundër u përforcuan, duke e konsideruar dokumentin si “harta e padrejtësisë”. Si për ironi të simbolizmit të ditës, harta i kishte harruar tërësisht fëmijët.

Në kohën e shkrimit të këtij artikulli, një pjesë e mirë e gjykatave të shkallës së parë ishin të paralizuara nga greva e avokatëve, e thirrur nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.
Me shumë mundësi, kjo nuk do të jetë as greva dhe as protesta e parë dhe e fundit! Çfarë të bën habi, të paktën deri tani, është se Harta është përshëndetur vetëm nga Qeveria shqiptare (nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë) dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Asnjë gjykatës, asnjë prokuror, asnjë avokat, asnjë qytetar…

Për të qenë korrekt me kritikën që i është bërë dhe do të vijojë t’i bëhet Hartës së re gjyqësore, si nga të gjithë krahët politikë, ashtu edhe nga shoqëria civile, ne shfletuam të gjithë dokumentacionin e bërë publik në faqen zyrtare të KLGJ-së (klgj.al).

Propozimi vjen në një dokument voluminoz prej 172 faqesh, të bazuar në indikatorë matjeje, shpesh të detajuar deri te fakti se sa orë e minuta do t’i duhej një qytetari për të udhëtuar, sipas riorganizimit të ri të gjykatave dhe prokurorive.

Çfarë vlen të thuhet shkurtimisht për lexuesin është se nga 22 gjykata të shkallës së parë, 9 prej tyre do të mbyllen dhe do të mbeten vetëm 13 të tilla. Nga 6 gjykata të apelit, do të mbyllen që të gjitha me përjashtim të Tiranës, e cila kthehet në Gjykatën e vetme të Apelit në Shqipëri.

Së fundi, nga 6 gjykata administrative të shkallës së parë, do të mbijetojnë vetëm ato të Tiranës dhe Lushnjës.

Po ku qëndrojnë problemet kryesore të Hartës së re gjyqësore? Në fakt, nga analiza jonë, rezulton se janë disa:

 

Harta nuk ka marrë në konsideratë varfërinë e popullsisë, por është bazuar në dy indikatorë të vetëm, numrin e popullsisë dhe distancën gjeografike. Sipas Bankës Botërore, thuajse 40 për qind e popullsisë jeton me 2-5 dollarë në ditë. Vendimi nuk propozon asnjë zgjidhje praktike se si qytetarët më të varfër do të kenë akses në sistemin e drejtësisë, kur atyre ju mungojnë mjetet bazë financiare për t’u ushqyer, e jo më të udhëtojnë për të kërkuar drejtësi?

 

Harta nuk ka marrë parasysh moshën e popullsisë. Ndonëse popullsia në vend po vjen duke u plakur, thuajse gjysma e veprave penale në vend po kryen nga fëmijët dhe të rinjtë deri në moshën 29 vjeç (“Rinia në Shqipëri 2020” i ANYN).

Të rinjtë në Shqipëri janë ndër më të varfrit në Europë dhe financat e tyre janë ngushtësisht të lidhura me ato të prindërve. E parë kjo e lidhur me nivelin e të rinjve që nuk janë as në punë dhe as në trajnim (NEET), të rinjtë tanë janë më të papunët dhe më të varfrit e Europës, teksa tani do të duhet të konsiderohen edhe me aksesin më të ulët në drejtësi.

Harta, ndonëse supozohet se ka marrë në konsideratë distancën gjeografike të qyteteve nga gjykatat, analiza ka harruar të përmendë faktin që në Shqipëri, udhëtimi ndërqytetas bëhet vetëm me makinë/urban.

Shqipëria nuk ka mjete masive të transportit publik si tren p.sh. Rritja e çmimit të naftës – që nuk është vetëm për shkak të luftës në Ukrainë, është një realitet që do të qëndrojë dhe përforcohet, ndërkohë që gjendja e rrugëve në Shqipëri është po aq e mjerë sa ç’ka qenë në kohën e komunizmit. Forumi Ekonomik Ndërkombëtar e rendit Shqipërinë në vendin e 74 në botë për gjendjen e rrugëve, nga 141 vende të vëzhguara.

 

Për gjykimet në Apel, një qytetar dhe avokati i tij duhet të udhëtojnë nga çdo cep i Shqipërisë për në Tiranë. Kjo kërkon jo vetëm transport, por edhe hotel, ushqim, veshje etj., etj… Imagjinoni tani 40 për qind të popullsisë që jeton me 2-5 dollarë në ditë, të bëjnë ankesa dhe të kërkojnë të ndjekin gjykimin në apel të çështjeve të tyre! Aksesi në drejtësi për ta kthehet në një iluzion të drejtësisë! KLGJ nuk ka rekomanduar zgjidhje as në këtë rast.

 

Gjendja e ndërtesave të gjykatave nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare të drejtësisë.Edhe vetë KLGJ, në vlerësimin e hartës, thotë se një pjesë e mirë e gjykatave nuk i përmbushin kriteret fizike, si ndërtesa për të dhënë drejtësi.

Shumica e gjykatave ndodhen ende në ndërtesa të kohës së diktaturës, që nuk përmbushin kriteret bazë të punës me dinjitet për vetë gjykatësit (harrojini kushtet e punës për avokatët dhe prokurorët në gjykata).

Ato nuk respektojnë standardet bazë të kujdesit dhe sigurisë ndaj të akuzuarve me burgim. Pyetja është: pse u fokusua KLGJ në hartimin e hartës së re gjyqësore, kur urgjente ishin kushtet e gjykatave!

 

Riorganizimi i gjykatave dhe prokurorive shton volumin e dosjeve sidomos në Gjykatat e Apelit. Si në Gjykatat e Apelit ashtu edhe në Gjykatën e Lartë, ka një volum prej më shumë se 30 mijë dosjesh gjyqësore që presin të shqyrtohen.

Është jashtë çdo logjike që, me një volum kaq të lartë dosjesh në pritje të drejtësisë, të mbyllen 5 gjykata apeli – të cilat shërbejnë, ndër të tjera, edhe si valvula të eliminimit të padrejtësive që mund të bëjë sistemi i gjykatave të rretheve gjyqësore.

Si do të garantohet që qytetarët, nga çdo cep i Shqipërisë, të kenë akses në nivelin e dytë të drejtësisë dhe kostot e mbylljes së këtyre gjykatave nuk kalojnë në xhepin e qytetarëve të thjeshtë?

Shqipëria është një vend me histori të gjatë të mungesës së dhënies së drejtësisë, si gjatë 45 viteve të komunizmit kur nuk mund të bëhej fjalë për të kërkuar drejtësi, ashtu dhe në 30 vite të demokracisë sonë hibride dhe jofunksionale. Ndërsa njerëzit kanë etje për drejtësi dhe kishin shpresuar që reformimi i sistemit do t’ju ofronte këtë gjë, sot përballen me dilemën a do të kenë para që të shkojnë deri tek dera e gjykatës.

Harta e propozuar e sistemit të “ri” të drejtësisë të kujton familjet që jetonin në varfëri ekstreme, të cilat i martonin vajzat që në moshë të hershme, që të kishin një gojë më pak për të ushqyer.

Përgjegjësinë ia kalonin familjes së bashkëshortit! Me sa duket, KLGJ, mungesën e dëshirës së Qeverisë për të financuar drejtësinë – dhe drejtësia kushton – ka vendosur që kostot e kërkesës për më shumë drejtësi t’ia kalojë xhepit tonë të varfër e të shpuar!

Nga e gjithë kjo histori duket se përfitojnë vetëm dy palë: Qeveria dhe biznesi i naftës dhe makinave. Në shkencat politike ekziston një thënie: Në përballjen me Qeverinë, qytetari është gjithnjë i humbur…

*Opinionet janë personale të autorit dhe nuk përbëjnë qëndrim të revistës

/Monitor/

 


Shtuar 26.06.2022 07:03