Dy pengesa të mëdha për paqen:Kushtetuta ruse dhe ajo ukrainase

Nga Andreas Umland “Worldcrunch

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Debatet se si t’i jepet fund luftës së Rusisë në Ukrainë po bëhen gjithnjë e më të zëshme me kalimin e muajve. Pavarësisht nëse besojnë se është e dëshirueshme, apo edhe e mundur, që t’i jepet fund kësaj lufte rreth tryezës së bisedimeve, të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë debat duhet të pranojnë vështirësitë që lidhen me këtë qasje.

Historia e Moskës në ndërhyrjet neo-imperialiste në punët e vendeve të tjera gjatë 3 dekadave të fundit jep shumë arsye për të qenë mosbesues. Ekzistojnë një mori arsyesh pse negociatat midis Kievit dhe Moskës nuk kanë gjasa të zhvillohen, apo të arrijnë tek ndonjë rezultat i rëndësishëm nëse ndodhin, për të mos folur pastaj për arritjen e një marrëveshje paqeje të qëndrueshme.

Arsyeja kryesore qëndron në pretendimet kontradiktore të kushtetutës së Ukrainës dhe Rusisë. Aneksimi i fundit i paligjshëm nga Rusia i 4 rajoneve në Ukrainën Juglindore në shtatorin e vitit 2022, përbën një pengesë të madhe për paqen. Ai përfaqëson një përshkallëzim të problemit të krijuar fillimisht nga aneksimi skandaloz dhe i paligjshëm ushtarak nga Rusia i gadishullit të Krimesë mbi 8 vjet më parë.

Që nga marsi i vitit 2014, situata në Krime ka qenë një pengesë pothuajse e pakapërcyeshme në lidhje me diskutimet produktive midis Ukrainës dhe Rusisë. Të dyja vendet duhet të diskutojnë jo vetëm mbi një sërë çështjesh politike, por edhe të kapërcejnë një problem ligjor themelor.

Veprimet e Rusisë gjatë pothuajse 9 viteve të fundit, nuk kanë qenë vetëm një shkelje e paprecedentë e ligjit ndërkombëtar. Aneksimet e Moskës kanë ndryshuar gjithashtu rrënjësisht situatën e saj ligjore të brendshme. Si kushtetuta e Ukrainës po ashtu edhe ajo ruse, pretendojnë tani në mënyrë të hapur sovranitet mbi të njëjtat territore në Ukrainën Lindore dhe Jugore, duke përfshirë Krimenë.

Si presidentë të vendeve të tyre përkatëse, Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky shihen nga njerëzit e tyre si “garantë” të kushtetutave të tyre, dhe kanë përgjegjësinë ligjore të mbështetin zbatimin e tyre. Edhe nëse njëri apo që të dy do të donin të bënin kompromis mbi territorin, kushtetutat e tyre e ndalojnë këtë.

Kjo do të thotë se përpara se të zhvillohen bisedime serioze për paqen, duhet të ndryshohet njëra nga kushtetutat. Por kjo do të kërkonte një shumicë të konsiderueshme votash në parlamentar, gjë që do të ishte e vështirë në Rusinë e Putinit dhe jo realiste në Ukrainë.

Përpara valës së fundit të aneksimeve, çështja e Krimesë mund të ishte shtyrë, ose një ditë mund të zgjidhej ndoshta me disa lëshime të pjesshme ndaj kërkesave të Moskës.

Për shembull, një administratë e përkohshme ndërkombëtare mund të ishte krijuar për të qeverisur Krimenë. Ose Rusia mund të ishte qetësuar duke e rritur nivelin tashmë të lartë të pavarësisë që gëzon republika autonome e Krimesë brenda Ukrainës. Por që nga aneksimi i 4 rajoneve të tjera të Ukrainës nga Rusia në shtator 2022, këto opsione nuk duken më të realizueshme.

Dhe kjo jo vetëm sepse justifikimet e Kremlinit për aneksimin e këtyre territoreve janë edhe më të dobëta se sa argumentet e tij për aneksimin e Krimesë në vitin 2014. Tani çështja e gadishullit të Krimesë, është pjesë e një problemi më të madh në lidhje me të drejtën e ekzistencës së një anëtari themelues të Kombeve të Bashkuara (Republika Socialiste Sovjetike e Ukrainës ishte pjesë e OKB-së gjatë viteve 1945-1991).

Kjo do të thotë se gjithnjë e më shumë njerëz dhe vende anembanë botës, po tregojnë tani mbështetje për të anuluar të gjithë zgjerimin e paligjshëm të Rusisë drejt perëndimit. Dokumentet e aneksimit të ri të shtatorit 2022, dhe ndryshimet përkatëse në kushtetutën ruse, pretendojnë në mënyrë të hapur sovranitetin mbi territoret ukrainase që aktualisht nuk janë nën kontrollin rus.

Këto rajone ose kanë qenë gjithmonë nën kontrollin e Kievit ose janë rimarrë nga trupat ukrainase. Në realitet, asnjë nga 4 territoret ukrainase të aneksuara së fundmi nuk është pushtuar plotësisht nga forcat ruse. Kjo krijon një kontradiktë të çuditshme me kushtetutën ruse, e cila përfshin këto rajone në territorin zyrtar të Federatës Ruse.

Në fakt, Rusia është shndërruar në një “shtet të dështuar”, sipas përkufizimit të këtij termi të përdorur në shkencat politike dhe diplomacinë ndërkombëtare. Para vitit 2022, Moska ka synuar të minojë sovranitetin dhe integritetin e shteteve të tjera si Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina përmes mjeteve ushtarake dhe jo ushtarake.

Tani vetë Federata Ruse – sipas kushtetutës së saj – është një vend që nuk i kontrollon plotësisht kufijtë dhe territoret e veta. Kjo nuk është thjeshtë një situatë e sikletshme për Kremlinin, si brenda dhe jashtë vendit. Por krijon gjithashtu një kontekst të vështirë ligjor për çdo negociatë të mundshme midis Kievit dhe Moskës, tek të cilat po i mbështetin shpresat e tyre shumë politikanë, diplomatë, ekspertë dhe publiku i gjerë jashtë Ukrainës.

Për sa kohë që kushtetuta ruse mbetet ashtu siç është, Putini – ose ndonjë president tjetër rus – nuk do të ketë autoritetin që t’i kthejë territoret ukrainase që aktualisht janë nën kontrollin e Moskës. Për më tepër, kushtetuta e Rusisë duket se kërkon që kreu i shtetit të kërkojë të pushtojë territore të tjera ukrainase.

Çdo negociator zyrtar rus do të ishte ligjërisht i detyruar të këmbëngulte që Kievi t’i dorëzojë Moskës territore të tjera ukrainase, në mënyrë që të përputhë tekstin e kushtetutës ruse me realitetin politik në terren. Disa njerëz mund të mendojnë se natyra dukshëm absurde e kësaj situate diplomatike, do të ishte një arsye e mjaftueshme për ta hedhur poshtë.

Megjithatë, çdo president rus ose negociator tjetër do të rrezikonte të akuzohej për tradhti të lartë, nëse do të sugjeronte apo do të binte dakord mbi ndonjë gjë që është në kundërshtim me kushtetutën ruse. E njëjta gjë është e vërtetë për çdo president ose negociator tjetër ukrainas, kushtetuta e të cilit do t’i detyronte ata të këmbëngulin, se integriteti i plotë territorial dhe sovraniteti politik i Ukrainës të rivendoset sa më shpejt të jetë e mundur.

Kjo është arsyeja pse gjatë 9 viteve të fundit apo më shumë, nuk ka pasur ndonjë përparim serioz në negociatat për Krimenë midis Ukrainës dhe Rusisë. Në dallim nga sot, midis verës së vitit 2014 dhe fillimit të vitit 2022, Kievi dhe Moska u angazhuan në negociata të ngjeshura me njëri-tjetrin, përmes Grupit të Kontaktit Trepalësh të Minskut dhe Frontit të Normandisë.

Megjithatë, pasi statusi i gadishullit të Krimesë pas aneksimit të tij zyrtar nga Rusia u bë një “lojë me shumën zero” për Moskën dhe Kievin, nuk kishte më vend për diskutime. Kur flitet për 4 rajone të tjera në Ukrainën Juglindore, aneksimet e Moskës të shtatorit 2022 kanë krijuar një pengesë të ngjashme.

Shumë analistë besojnë se arritja e një armëpushimi midis Moskës dhe Kievit varet nga vullneti politik i disa liderëve të zgjedhur, si presidentët e Rusisë, Ukrainës, Shteteve të Bashkuara, Francës, Komisionit Evropian etj. Por kjo pikëpamje injoron faktin se ndryshimet në kushtetutën e Rusisë në vitet 2014 dhe 2022 paraqesin pengesa strukturore për bisedimet produktive të paqes me Ukrainën.

Prandaj është naiv supozimi i përhapur se një angazhim më i mirë politik dhe diplomatik nga Perëndimi, Kievi, apo nga të dyja palët, do të mjaftonte për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme me Moskën. Ngërçi kushtetues i krijuar nga aneksimet e Rusisë nuk është pengesa e vetme për zhvillimin e negociatave kuptimplota.

Por në vetvete, ai është arsye e mjaftueshme për të qenë skeptik në lidhje me potencialin e një zgjidhjeje afatgjatë jo-ushtarake të konfliktit aktual. Duke supozuar se Rusia vazhdon me qëndrimin e saj agresiv, kjo do të ishte e mundur vetëm nëse Ukraina e ndryshon kushtetutën e saj dhe heq dorë nga statusi i saj si shtet i pavarur.

Kjo ka shumë pak gjasa të ndodhë. Sepse do të ishte jo vetëm e pakënaqshme për shumicën e ukrainasve, por do të kërcënonte stabilitetin e ardhshëm dhe kufijtë e vendeve të tjera, territoret e të cilave do të rrezikoheshin të pushtoheshin nga shtetet fqinje, pas strategjisë së Moskës për ndërhyrje ushtarake dhe aneksime politike. /albeu.com

Shënim:Andreas Umland, analist në Qendrën e Stokholmit për Studimet e Evropës Lindore në Institutin Suedez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare.


Shtuar 12.04.2023 14:34