Koronavirusi “kris” qeverinë e Kosovës, “plas” pas shkarkimit të ministrit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi se shkarkimi i Agim Veliut nga pozita e ministrit të Brendshëm të Kosovës është “i papranueshëm”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi të mërkurën se ka shkarkuar Veliun, për shkak të, siç tha, deklaratave kundër qëndrimit të tij mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe për “përhapje të panikut”, në lidhje me rastet me koronavirus. Mustafa, kryetar i partisë partnere në koalicionin qeverisës, kërkoi nga Kurti që të anulojë vendimin për shkarkimin e Veliut.

“Kjo është shkelje e marrëveshjes së koalicionit. Me marrëveshje kemi përcaktuar se ministrat mund të shkarkohen nga kryeministri në konsultim me kryetarin e subjektit politik me të cilin është bërë koalicioni, bazuar në një arsyetim që e pranon kryetari i LDK-së. Si kryetar i LDK-së nuk jam konsultuar nga kryeministri dhe aq më pak i pranoj arsyet e tij të bëra publike”, shkroi Mustafa në një postim në Facebook.

“Veprimet e njëanshme të kryeministrit janë të dëmshme dhe të papranueshme dhe çojnë në prishje të koalicionit”, shtoi ai. Mustafa kërkoi nga Kurti që të marrë vendim edhe për heqjen e taksës ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnja deri në fund të javës.


Shtuar 18.03.2020 13:51