Nënshtrimi pa kushte i policisë ndaj krimit, nuk po dihet më ku fillon shteti dhe ku mbaron mafia

Nënshtrimi pa kushte i policisë ndaj krimit, nuk po dihet më ku fillon shteti dhe ku mbaron mafia

Nga AlbEu.com

Zbërthimi i aplikacionit “SKY” nga partnerët francezë, nxorri në dritën e diellit se në çfarë derexheje ka përfunduar shteti ligjor në Shqipëri, ku oficerë të lartë të Policisë së Shtetit, marrin urdhra të drejtpërdrejtë nga njerëz të botës së krimit.

Pak ditë më parë SPAK arrestoi biznesmenë, ish-prokurorë, si dhe policë, mes tyre dhe Oltion Bistrin, një zyrtar i lartë i uniformave blu.

Nga përgjimet e zbardhura nga AlbEu.com, vihet re një përulje totale e Policisë së Shtetit përballë biznesit të paligjshëm të lojërave të fatit, të cilat janë nën pronësi të biznesmenit të arrestuar Pëllumb Gjoka.

Në të gjitha përgjimet shohim një devotshmëri të frikshme të policëve për tu shërbuer padronëve të krimit, madje shpesh lexojmë dhe fjali të tipit: “Nuk më hyjnë në sy ato 1500 euro që më paguan, e bëra për ty”.

AlbEu.com raportoi pak ditë më parë se në total janë 160 mijë njerëz që përdorin aplikacionin e kriptuar “SKY”, ku 16 mijë prej tyre janë shqiptarë.

Të njëjtat burime për AlbEu.com, konfirmuan se dy agjentët tanë që po punojnë aktualisht pranë grupit hetimor kanë zbardhur deri më tani qindra biseda, ku janë të përfshirë politikanë, biznesmenë, njerëz të drejtësisë, si dhe oficerë të lartë të Policisë së Shtetit.

Por le të kthemi aty ku e nisëm, pikërisht tek përfshirja e Policisë në botën e krimit, ajo polici për të cilën çdo qytetar shqiptar derdh taksa, në mënyrë që të jetë i mbojtur kur del në rrugë.

Ajo që e bën edhe më të rëndë situatën në cilën ndodhet Policia e Shtetit, është se shumë zyrtarë përdoren nga krimi në rolin e spiunit, ose të “vrasësit me pagesë”, jo për të eleminuar fizikisht kundërshtarin, por për t’i goditur biznesin.

Nga përgjimet e e zbardhura deri tani nga AbEu.com, shihet se oficerët e “vegjël” si Bistri janë ura lidhëse mes biznesmenëve të krimit dhe Drejtorëve të mëdhenj të Policisë së Shtetit.

Përfshirja në këtë farë feje e Policisë në botën e krimit, e zhytur deri në fyt nga lluca dhe balta, tregon se sot Shqipëria është në një situatë ku nuk kupton më se ku fillon shteti e përfundojnë bandat.

Por ajo që e bën edhe më lebetitëse situatën është kur Policia e Shtetit në vend që të parandalojë krimin, të mbrojë qytetarin, bën krejt të kundërtën, luan rolin e spiunit dhe “pritësit”, duke vënë nën shënjestërën e armës kundërshtarët e cilësdo palë që paguan më shumë.

Se sa e përlyer është Policia e Shtetit në këtë aferë të madhe kriminale që është bërë gangrenë për Shqipërinë, mbetet për tu parë pasi të dalin të plota përgjimet e “SKY”, aty do të shohim dhe se sa është numri i zyrtarëve të Policisë të përfshirë në botën e errët.

Deri më tani flitet për rreth 300 oficerë të lartë të përfshirë në botën e krimit, pa llogaritur policët “e vegjël” që e shohin si shpërblim pagën që marrin nga “DON-ët” e lagjeve, apo të fortët që nuk ju bën më syri tërr, pasi me një urdhër të tyre ose vritesh ose arrestohesh.

Operacioni i SPAK pak ditë më parë i dha një goditje të fortë jo vetëm botës së krimit, por dhe policëve të përfshirë në të.

Por do të duhet që këto operacione të vijojnë e të vijojnë deri sa Policisë së Shtetit t’i kthehet jo vetëm dinjiteti i nëpërkëmbur nga kriminelët, por t’i rikthehet edhe besimi i qytetarëve, të cilët sot po i zgjidhin hallet me fise, pasi kanë frikë të denoncojnë.


Shtuar 4.08.2023 22:34