INTERVISTA/ Ekonomistja e njohur paralajmëron të ardhmen e errët nga teknologjia

Nga Benjamin Bidder “Der Spiegel

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Daron Acemoglu, 56 vjeç, është profesor i ekonomisë në Institutin e Teknologjisë në Masachussetts (MIT) në Boston, SHBA. Në librin e tij të fundit “Pushteti dhe progresi”, shkruar së bashku me Simon Johnson, ai përshkruan luftën mijëravjeçare të njerëzimit për të mbajtur nën kontroll teknologjinë dhe për të rishpërndarë pasurinë.

Acemoglu, libri juaj duket si një përpjekje për të rishkruar historinë e progresit të njerëzimit. Në të, ju ktheheni shumë pas në kohë. Çfarë duhet të mësojmë nga epoka e Neolitit për epokën aktuale të Inteligjencës Artificiale (AI)?

Diskutimi mbi Inteligjencën Artificiale (AI) është nën kontrollin e një tekno-optimizmi naiv. AI do të transformojë gjithçka, dhe nëse do të ketë sfida të forta, ato duhet të zgjidhen. Kur ngremë shqetësime rreth kësaj narrative, një nga pyetjet që ngrenë njerëzit është: A mos po pretendoni se këtë herë do të jetë ndryshe?

Por është e vërtetë që njerëzimi ka përfituar shumë nga teknologjitë e reja…

Po dhe kjo është arsyeja pse duhet të rikthehemi shumë pas në kohë. Në të kaluarën, kemi pasur gjithmonë beteja mbi përdorimin e inovacionit dhe se kush përfiton prej tyre. Shumë shpesh, kontrolli ka qenë në duart e një elite të ngushtë. Shpeshherë inovacioni nuk i ka sjellë dobi segmenteve të gjera të popullatës.

A nuk është rritur në mënyrë të qëndrueshme standardi i jetesës?

Sot jemi shumë më të begatë se njerëzit në epokat e mëparshme. Por ka një prirje për të menduar se rruga midis duhet të ketë qenë një proces i drejtpërdrejtë dhe i pashmangshëm. Të gjithë priremi t’i harrojmë vështirësitë që hasim rrugës.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Marrim shpikjen e mullinjve me erë në Mesjetë, një teknologji shumë transformuese. Ajo e ndryshoi organizimin e prodhimit të tekstilit, por veçanërisht të bujqësisë. Por nuk pati shumë përmirësim në kushtet e jetës së fshatarëve. Mullinjtë e erës kontrolloheshin nga pronarët e tokave dhe kishat.

Dhe ajo elitë e ngushtë mblidhte fitimet. Ata vendosnin se kush mund t’i përdorte mullinjtë e erës. Ata e vranë konkurrencën. Në të njëjtën kohë, gjatë asaj periudhe, në të gjithë kontinentin u ndërtuan katedrale dhe kisha mbresëlënëse. Deri në 20 për qind të fuqisë ekonomike shkoi për ndërtimin e tyre.

Shumë njerëz mahniten ende sot me këto ndërtesa..

Edhe për mua janë shumë mbresëlënëse. Por ishin tejet të kushtueshme për shoqëritë e kohës. Dhe në shumicën e rasteve u ndërtuan kur ishin në prag të mbijetesës dhe zive të bukës. Katedralet u ndërtuan sepse një elitë e vogël donte të tregonte pasurinë e saj. Monumentet e tyre janë ekuivalentet e piramidave egjiptiane. Sot, ata na japin përshtypje të njëanshme të asaj epoke. Ndërsa vuajtjet e fshatarëve mbeten të padukshme.

Çfarë lidhje ka kjo me Inteligjencën Artificiale?

Çdo javë, udhëheqësit e teknologjisë thonë: “S’ka asgjë për t’u shqetësuar. Inteligjenca Artificiale do të zgjidhë të gjitha problemet tona!”. Sipas tyre problemi i vetëm shqetësues janë përpjekjet e qeverive për të rregulluar veprimin e AI.

Shtetet e Bashkuara janë bërë kaq optimiste në një mënyrë naive për këtë teknologji. Mjerisht, kësaj vale iu bashkuan shumë gazetarë amerikanë, që u mahnitën me industrinë e teknologjisë. Ata filluan t’i besonin të gjitha llojeve të propagandës nga kompanitë.

Ju po thoni që AI është e dënuar të ndjekë të njëjtën rrugë të teknologjive të mëparshme?

Unë nuk po them që AI nuk është një teknologji premtuese. Jam optimist se me marrjen e vendimeve të duhura, ajo mund të jetë jashtëzakonisht e dobishme për punonjësit e njohurive. Por e përsëris, asgjë nuk është e mirëqenë. Ne duhet t’i kushtojmë shumë më tepër vëmendje drejtimit të teknologjisë.

Nga buron pesimizmi juaj? Të ardhurat mesatare në Perëndim nuk kanë qenë kurrë më të larta se sa janë sot…

Gjatë 40 viteve të fundit në SHBA ka pasur rënie në të ardhurat reale të punëtorëve pa universitet. Rënia arrin në 0.5 për qind në vit. Nëse nuk ndryshon asgjë, AI do ta dyfishojë këtë rënie. Inteligjenca artificiale mund të bëhet ende shumë e dobishme për qytetarët e pasur dhe punonjësit shumë të kualifikuar. Por ajo s’do të jetë e mirë për shumicën.

A e ka humbur njerëzimi rrugën e tij?

Në fillim të epokës dixhitale, kishte koncepte alternative të fuqishme. Hakerët dhe shumë nga pionierët e parë të kompjuterave ëndërruan për një teknologji të decentralizuar që do të fuqizonte punonjësit. Në qendër të mendimit të tyre ishte prioriteti për të maksimizuar dobinë e teknologjisë për njerëzit dhe shoqëritë. Kjo qasje u bë e njohur si “dobishmëria e makinerisë”. Por në fund kanalet kryesore u bënë korporata si IBM, Microsoft dhe Oracle.

Në librin tuaj, ju i krahasoni sipërmarrësit e teknologjisë si Mark Zuckerberg dhe Bill Gates me John D.Rockefeller, një nga “baronët” famëkeq të industrializimit. Ky është një krahasim i ashpër…

 

Figura si Rockefeller ishin shumë novatore. Rockefeller ishte në ballë të inovacioneve. Por po ashtu ai ishte edhe një monopolist i pamëshirshëm dhe i fiksuar pas fitimit. Gati e njëjta gjë vlen për shumë nga “baronët” e sotëm të teknologjisë.

Ju keni sugjeruar shpërbërjen e korporatave si Facebook dhe Google. Pse politikanët nuk marrin masa më të ashpra kundër tyre?

Shumica e politikanëve e bindin veten se rritja e pabarazisë është ose e pashmangshme ose diçka normale në emër të progresit. Ata thonë: Çfarëdo që prodhon tregu është e mirë. Dhe gjithçka që duhet të bëjmë është ta lëmë tregun të funksionojë.

Çfarë mund të bëjmë për të ndryshuar situatën?

Nuk ka një mjet të vetëm. Por, për shembull, sistemet tona tatimore sot janë të njëanshme kundër punës dhe në favor të kapitalit. Ndërsa në SHBA norma mesatare e taksave mbi të ardhurat nga puna është e qëndrueshme në nivelin 25 për qind, taksat efektive mbi investimet në pajisje dhe softuerë kanë rënë nga 15 në për qind në 5 për qind gjatë 30 viteve të fundit.

Marrë me shkurtime

/albeu.com


Shtuar 30.08.2023 10:40

Tags: