Spahiu: Ka ardhur koha për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë

Analisti Kreshnik Spahiu mendon se ka ardhur koha që Shqipëria të bashkohet me Kosovën në një shtet të vetëm.

Në një intervistë për Euronews Albania, Kreshnik Spahiu u shpreh se çdo ditë që kalon, Shqipëria dhe Kosova humbasin shumë, madje rrezikojnë humbjen e territoreve.

Sipas Spahiut, duke mos u ndodhur bashkimi me Shqipërinë, Kosova rrezikon sovranitetin dhe integritetin territorial.

“Unë mendoj që ka ardhur koha për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Unë mendoj që çdo ditë dhe çdo vit që kalon, Kosova dhe Shqipëria humbasin shumë, madje rrezikojnë humbjen e territoreve. Çdo ditë që vonon bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, do të rrezikohet sërish sovraniteti dhe integriteti i Kosovës.
Një komb jeton në 5 shtete, një komb ka dy shtete të mirëfillta shqiptare, por me emra të ndryshëm. Është një rast i paprecedentë në gjithë të drejtën ndërkombëtare dhe herët apo vonë, bashkimi do të ndodhë. Problemi është, do të ndodhë atëherë kur të jetë në dëm të interesave të shqiptarëve, apo në të mirë të interesave të shqiptarëve”, theksoi ai.