Të gjithë burrat e princeshës
Albeu.com
Sekretari i saj personal tregoi për lidhjet e Dianës me 5 meshkuj të tjerë.Emrat janë zbuluar në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Londër, për të zbuluar shkaqet e vërteta të vdekjes.

Le ta fillojmë me një pyetje. Çfarë kanë të përbashkët një zyrtar kavalerie, një koleksionist, një truprojë, një kampion ragbie, një ekspert i marrëdhënieve publike dhe djali i një miliarderi egjiptian? Përgjigjja? Kanë qenë të gjithë të dashurit, edhe pse jo në të njëjtën kohë, të princeshës së ndjerë Diana, dikur e destinuar për t‘u bërë Mbretëresha e Britanisë së Madhe, sigurisht nëse fati i saj tragjik nuk do të ishte treguar aq i pamëshirshëm me të. Emrat e të dashurve të "Princeshës së Popullit", për të cilët flitej nën zë prej kohësh, megjithëse emrat e tyre nuk ishin bërë asnjëherë publikë, janë nxjerrë para pak ditësh në gjyqin që është duke u zhvilluar në Londër për të marrë vesh shkaqet e vërteta të vdekjes së saj, dhjetë vjet pas aksidentit në tunelin parisian, ku humbi jetën së bashku me të fejuarin e asaj kohe, Dodi al Fayed, djali i miliarderit Muhamed al Fajedit, një sipërmarrës egjiptian dhe pronar mes shumë e shumë gjërash edhe i magazinave të famshme "Harrods" në kryeqytetin britanik. Fakti që Diana kishte pasur lidhje sentimentale me burra të tjerë ishte i njohur tashmë që kur u bë e ditur se në martesën e saj (e celebruar në vitin 1981) ishin "tre persona", ajo, Karli dhe Kamila. Në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Londër, një avokat i shoqërisë civile, përfaqësues i familjes Al Fajed, gjatë pyetjes së një dëshmitari, ish-sekretari personal i Dianës, Michael Gibbins, ka kërkuar shumë herë që t‘i përmendë me emra pesë të dashurit e princeshës, për të cilët ai ishte duke folur. Sipas tij, lidhja e parë e saj ishte me agjentin e policisë, Barry Mannakee, njëkohësisht edhe truproja i saj, që kishte humbur jetën në vitin 1987 në një aksident misterioz me motoçikletë. Pastaj, po sipas tij, ajo pati lidhje edhe me një zyrtar të kavalerisë, James Hewit, nga viti 1986 dhe 1989. Po atë vit, në rolin e kavalierit të Dianës hyri James Gilbery, që në atë kohë ishte shef i marrëdhënieve publike në shtëpinë automobilistike "Lotus". Në gjysmën e parë të viteve ‘90 ishte radha e Oliver Hoare, një antikuar me shumë shije, ndërsa në vitin 1995 shpërtheu një dashuri e madhe me Will Carling, ylli anglez i ragbisë. Në fund ishte radha e Dodi al Fajed. Avokatët, që i ati i tij ka punësuar, kanë kërkuar me ngulm që ish-sekretari i saj personal të tregojë detaje të hollësishme rreth lidhjeve të saj, për të arritur kështu në atë çka i ati i Dodit dyshonte që nga fillimi: komplot për të hequr qafe princeshën. Megjithatë, edhe pse kanë kaluar dhjetë vjet që nga ai aksident i tmerrshëm në Paris, ajo vazhdon të ngelet simboli i bukurisë dhe sensualitetit të përjetshëm. Ndoshta bukuria e saj ishte dhe shkaku kryesor që të gjithë burrat i shkonin nga pas. Jo më kot dhjetë vjet më parë ishte konsideruar një nga gratë më të bukura të planetit. Diana ishte mjaft e bukur që në adoleshencë, kur u zgjodh si princesha e ardhshme. Fotot e para iu bënë jashtë kopshtit të fëmijëve ku ajo punonte. Kishte veshur një fustan të lehtë, kështu që mund të shihej kollaj forma e këmbëve të saj, si një provë e pushtetit seksual të jashtëzakonshëm që zotonte. Sigurisht që do të bëhej akoma më e bukur, sepse do të kishte në dispozicion të saj parukierët, stilistët, grimierët dhe trajnerët personalë më të mirë. Pasi media e kuptoi se bukuria e saj ishte natyrale, së bashku, ajo dhe media, përveshën mëngët që ta bënin këtë bukuri vezulluese dhe të lavdishme si më të madhen në botë. Ishte një bukuri si fizike, ashtu edhe shpirtërore. Në të kombinohej e thjeshta dhe mbretërorja. Por, sot fiziku i saj i mrekullueshëm do të gjente veshjet mes atyre që konsiderohen "prerje komode". Në shkëlqimin e saj atletik, princesha - me prerje 44- mishëronte idealin femëror për shumë gra që ëndërronin të bëheshin si ajo. Sot prerja që konsiderohet si ideale për shumë gra është ajo "38" dhe brenda dhjetë viteve gjithçka ka ndryshuar dhe preferencat janë bërë gjithmonë e më të mëdha për femrat shumë elegante, ose më mirë siç i quan revista "Times", që bën edhe klasifikimin si burra me gjokse. Në rreshtat e saj ajo shkruan: "Ishte e sëmurë nga nervat dhe konfuze? Nuk ishte elegante, por me forma të rrumbullakëta? S‘ka gjë. Në fund të fundit ishte edhe e bukur dhe shumë seksi".

Ndryshimet

Çfarë ka ndodhur brenda dhjetë vjetëve për ta ndryshuar situatën në një mënyrë kaq dramatike? "Times" i hedh sytë tek "pin-up" bashkëkohor, mes të cilëve zgjedh Kate Moss, Nikol Kidman, Anxhelina Xholinë dhe Keira Knijtli, duke i përshkruar ato si femra pa asnjë lloj sensualiteti dhe të fiksuara tmerrësisht pas peshës "si përfaqësuese të vogla të universit femëror". Duke folur në veçanti për Viktoria Bekamin, gruan e futbollisti më të njohur në botë, Devid Bekam, ose më mirë për "Posh Spice"-in, e përditshmja më e mirë britanike tregohet mjaft e ashpër: për sa i përket fizikut të saj, karakteristika që të bën më shumë për vete është gjoksi, që në krahasim me peshën e saj trupore të bën të ngelesh gojëhapur. Të ndenjurat janë të mëdha sa dy topa ping-pongu, pastaj buzët, qafa dhe gjoksi janë homazh i industrisë pornografike dhe avancimit të kirurgjisë plastike". Megjithatë, Viktoria Bekam është konsideruar si një shembull për t‘u ndjekur nga mijëra vajza dhe jo vetëm. Një grua për të ndjekur shembullin e saj, ku fansat ndoshta përdorin dieta drastike për të arritur një peshë pak realiste dhe krudele, që nuk tregon gjë tjetër veçse mohimin e çdo gëzimi të jetës.

Gra kockë e lëkurë

Sipas gazetave, ndalimi i çdo forme sensualiteti që manifestohej në vitet ‘90-të, sot është në qendër të femrës ideale të shekullit 21. Sot pëlqehen gratë kockë e lëkurë, që pa frikë të krijojnë idenë se nuk mund të jenë kurrë nëna. Sigurisht nuk mund të ndodhte ndryshe me një fizik skeletrik, të zhveshur nga çdo fuqi erotike. Kohët e fundit, Zholi, nënë e katër fëmijëve (3 të adoptuar dhe 1 natyral) është ankuar sepse në filmin gjysmë të animuar "Beowulf" u desh të ndërhyhej me programe të ndryshme kompjuterike për ta bërë më seksi trupin e saj, ku dukeshin vetëm kockat. Frika e saj ishte që të mos dukej keq para fëmijëve të saj. Të vëna përkrah njëra-tjetrës, fotot e vajzave jashtëzakonisht të dobëta si Amy Winehouese, Kate Moss, Viktoria Bekam, e bëjnë Dianën të duket një mbipeshë, ndaj dhe gazeta pyet: "A janë këto gratë e vërteta? Apo mos ndoshta bëhet fjalë për një shaka? Mos ndoshta ndonjë ditë do të zbulojmë se të gjitha kanë ikur nga një klub transeksualësh"? /G. Shqip/
Shtuar më 26/11/2007, ora 20:29
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori