Depoja e armëve në Tiranë, Gjykata jep masën e sigurisë për Ervis Bakallin dhe Dorian Kalon

Për Ervis Bakallin dhe Dorian Kalon, të cilët u arrestuan në flagrancë teksa po punonin në depon e armëve në Yzberisht të Tiranës, Gjykata ka dhënë masën “arrest me burg”.

Dy ditë më parë, Policia publikoi pamjet e operacionit të koduar “Silent”, falë së cilit u zbulua një bazë ku prodhoheshin silenciatorë dhe modifikoheshin armët e zjarrit. Si rezultat janë sekuestruar arsenal armësh të llojeve pistoletë e kallashnikov, silenciatorë, municion luftarak, pjesë të ndryshme armësh etj. Baza në fjalë ndodhej në zonën e Yzberishtit.

Në të u gjetën “8 armë zjarri të llojit pistoletë, 3 armë zjarri automatike, 4 zhurmues si ato të armëve të zjarrit pistoletë, silenciatorë, pjesë të ndryshme armësh, një thikë, makineria që shërbente për prodhimin dhe modifikimin e pjesëve të armëve të zjarrit, municion luftarak dhe sende të tjera prej metali që përdoren për modifikimin dhe prodhimin e silenciatorëve të armëve të zjarrit, valixhe me pjesë armësh për modifikim, një sasi parash dhe sende të tjera të kundërligjshme”.