Sulmi në bazën ushtarake në Lviv, Putin i shpall hapur luftë NATO-s

Mëngjesin e ditës së sotme një bazë ushtarake në Lviv të Ukrainës është sulmuar nga raketat ruse.

Sipas burimeve nga mediat e huaja, bëhet me dije se janë lëshuar të paktën 30 raketa dhe kanë vdekur të paktën 20 persona si pasojë e sulmeve.

“Pushtuesit kanë nisur sulme ajrore në Qendrën Ndërkombëtare për Ruajtje të Paqes dhe Sigurisë”, në Javoriv, ka thënë administrata ushtarake e rajonit të Lvivit, në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale.

Objekti 360 kilometra katrorë është më pak se 25 kilometra larg kufirit polak dhe një prej qendrave më të mëdha në pjesën perëndimore të Ukrainë.

Ukraina mban aty shumicën e stërvitjeve me vendet anëtare të NATO-s. Ministri i Mbrojtjes në Ukrainë, Oleksii Reznikov, ka thënë se instruktorë të huaj ushtarakë punojnë në këtë bazë ushtarake.

“Ky është një tjetër sulm terrorist ndaj paqes dhe sigurisë afër kufirit të Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, ka thënë Reznikov në Tëitter.

Një dëshmitar ka thënë për agjencinë e lajmeve, Reuters, se ka parë 19 ambulanca me sirena të lëshuara duke lëvizur nga drejtimi i bazës ushtarake.

Ukraina nuk është ndalur me kaq. Kryetari i qytetit Ivano-Franvisk në perëndim të Ukrainës, ka thënë se aeroporti i qytetit është shënjestruar nga sulmet.

“Sipas informacionit preliminar, shpërthimet e këtij mëngjesi janë dëgjuar pas sulmeve në aeroport”, ka thënë kryetari i qytetit, Ruslan Martsinkiv në një postim në Facebook.


Shtuar 13.03.2022 10:09