Spektakël në Greqi, rrjetë merimange gjigante

Pëlqej
Moti më i nxehtë nga sa duhej të ishte në Greqinë perëndimore, ka çuar në një spektakël thuajse të mbinatyrshëm, një rrjetë merimange 300 metra e gjatë në Aitoliko.

Një zonë e gjerë e gjelbër është mbuluar nga rrjeta e merimangës dhe ekspertët thonë se bëhet fjalë për një fenomen sezonal, të shkaktuar nga merimanga Tetragnatha, që mund të ndërtojë fole të stërmëdha për çiftëzim.

Një rritje e popullatës së mizave po ashtu mendohet se mund të ketë ndikuar në rritjen e numrit të merimangave.

Maria Chatzaki, pedagoge e biologjisë molekulare dhe gjenetikës në universitetin e Thrakës, në Greqi, thotë se temperaturat e larta, lagështia dhe ushqimi me tepricë, kanë krijuar kushtet ideale që specia të riprodhohet në numra të mëdhenj.

“Duket se merimangat po përfitojnë nga këto kushte dhe po i gëzohen një lloj feste. Ato çiftëzohen, riprodhohen dhe sigurojnë një gjeneratë të tërë të re. Këto merimanga nuk janë të dëmshme për njerëzit dhe nuk dëmtojnë as florën e zonës”, thotë ajo. “Ato do të kenë momentin e tyre të festës dhe shpejt do të ngordhin…”

Shtuar më 19/09/2018, ora 19:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori