“Luanim me 5 mbrojtësa dhe na kapnin në kundërsulm, kjo është e pafalshme”

Trajneri i mirënjohur, Shpëtim Duro, analizoi paraqitjen e Kombëtares shqiptare, në humbjen 1-2 ndaj Izraelit në shtëpi. I ftuar në studion e “Superport”, tekniku aktual i Laçit, ndër të tjera u shpreh:

“Situata nuk është pozitive, kishim besim se do të merrnim rezultat pozitiv. Kemi bërë pjesë të parë të mirë. Broja është futbollist që bën diferencën. Në 2-3 momente ishte ai protagonist i veprimeve sulmuese. Është djalë i ri dhe ka momente që duhet të ndahet nga topi. Është e ardhmja e Kombëtares dhe çdo gjë duhet të fillojë nga ai. Pjesa e parë ishte përgatitur jashtëzakonisht mirë, nuk i la hapësira kundërshtarëve.

Ishte një pjesë e parë që për fat u mbyll me rezultatin 1-0 si në Islandë. Pjesa e dytë, ishte totalisht katastrofë. Që në 10 minutat e para para golit, u duk që skuadra nuk po funksiononte.

E çuditshme është që kur je 1-0 luan me 5 mbrojtësa dhe të kapin në kundërsulm, kjo është e pafalshme. Asllani dhe Bajrami u ndërruan shpejt. Janë lojtarë që i japin frymëmarrje skuadrës. Pas 2-1 ishte një ndeshje për të mos u parë më. Katastrofë përgatitja e ndeshjes në pjesën e dytë. Izraeli ishte një skuadër shumë e fortë.

A ka thënë Reja që objektiv është vendi i parë? Edhe një trajner në superiore, kur erdhi tha që nuk bie kjo skuadër nga kategoria, pastaj në fund tha që po ta kisha marrë që nga fillimi skuadrën do ta kisha shpëtuar. Ore këta italianët janë mjeshtra të fjalës së gjithë. Kombëtarja duhet të fillojë me Asllanin, Bajramin dhe Brojën”, u shpreh Duro.


Shtuar 11.06.2022 09:08