Si të përballosh mbingarkesën e lajmeve të këqija këto ditë
“Kjo botë po shkon drejt fundit” – Ky është mendimi i parë që të shkon ndërmend kur shikon një edicon lajmesh të mbushur me ndodhi nga më të paimagjinueshmet. Në situatën aktuale ku ndodhemi, kur duhet të qëndrojmë në shtëpi, televizori është një nga mënyrat e kalimit të kohës. Ekspozimi ndaj një lajmi të keq në kushtet e shtëpisë mund të duket i përkohshëm. Fundja sa dëm mund të shkaktojë ai kur je i mbrojtur në rehatinë e shtëpisë tënde?

Në të vërtetë është krejt e kundërta. Përmbajtja shpesh pa filtra e lajmeve, programeve televizive apo filmave ka një ndikim të fortë në shëndetin psikologjik të njeriut. Ndikimi vërehet te humori, sjellja dhe mënyra e të menduarit. Një anketë e ditëve të fundit e Institutit të Statistikave tregon se nëntë nga dhjetë shqiptarë janë të ekspozuar ndaj mediave, kryesisht televizionit. Ky i fundit, sipas ekspertëve, është kthyer në një burim stresi për shkak të përmbajtjes jo vetëm të lajmeve që shkojnë përtej interesit publik, por edhe debateve politike që i ndajnë shqiptarët në dysh a në tresh.

Por televizori nuk është i vetmi burim stresi. Rrjetet sociale janë gjithashtu një vend që gëlon nga informacione të vazhdueshme që nuk kanë të sosur. Ato janë plot e përplot me lajme përdhunimesh, vrasjes, grabitjesh, korrupsioni, ndarjesh, tradhtish e të tjera si këto. Një anketë e kryer nga institucioni Pew të cilit i referohet AgroWeb.org konfirmon se ekspozimi i njerëzve ndaj ngjarjeve traumatike edhe në rrjete është rritur ndjeshëm.

Si ndikohet truri nga lajmet e këqija?

Truri i njeriut është ndërtuar në mënyrë të atillë që të përpunojë stresin e shkaktuar nga një traumë duke u futur në një gjendje emocionale të fortë. Kjo gjendje zakonisht duhet të zgjasë pak, por ekspozimi i vazhdueshëm ndaj traumës mund të prishë aftësinë normale e të shëndetshme të njeriut për t’u qetësuar. Kjo gjendje e vazhdueshme stresi, që shkaktohet nga lajmet e këqija, shpaloset me simptoma të rënda. Njeriu është i lodhur që në mëngjes. Ai është më i predispozuar të jetë në ankth dhe të preket nga depresioni. Me larminë e lajmevekëqija që konsumatori merr çdo ditë, stresi mund të bëhet kronik. Ai manifestohet me dhimbje koke, dhimbje muskujsh, probleme me tretjen, ankth dhe probleme me gjumin.

Lajmet në TV dhe ndikimi në shëndetin e fëmijëve

Të parit televizor në praninë e fëmijëve kërkon shumë kujdes. Edhe nëse ju e mbani televizorin ndezur me zë të ulët, pamjet dhe lajmi vetë mund të ndikojë te shëndeti i të vegjëlve. Ekspertët thonë se fëmijët kanë një imagjinatë të ndezur. Ata mund të kuptojnë dy ose tre fjalë nga lajmi që dëgjojnë dhe të krijojnë skenare nga më të ndryshmet që më pas kthehen në ëndrra aq të frikshme sa nxisin urinimin në shtrat.

Si të përballosh mbingarkesën e lajmevekëqija?

Ekspertët rekomandojnë vendosjen e një limiti ditor lajmesh në televizion apo në rrjetet sociale. Kjo është e domosdoshme për të qetësuar sistemin nervor. Jini të vëmendshëm ndaj mbingarkesës emocionale pas dëgjimit të një lajmi në televizion apo një debati politik të ngarkuar me tone negative. Kur të kuptoni që lajme apo ngjarje të ndryshme po ju ngarkojnë emocionalisht, fikeni televizorin, lëreni telefonin mënjanë dhe shkëputuni. Lajmi mund të kalojë si fillim në televizionet e shumta e të etura të Shqipërisë, por ai mund t’ju sëmurë. Mos harroni ta merrni ju telekomandën për mirëqenien e shëndetit.

Shtuar më 17/03/2020, ora 12:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori