“Lufta” për vendin e dytë në PD, detyra e mundshme për Jozefina Topallin

Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike miratoi të shtunën datën 22 maj për të organizuar zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike.

Gara për liderin e ri të PD-së duket se nuk do të ketë surpriza në një kohë që Sali Berisha, i cili inicioi lëvizjen e foltores ka shpallur kandidaturën për rikthimin në krye të të djathtëve. Vet lideri historik i Partisë Demokratike është zotuar për një garë me mundësi të barabarta, por mbështetja e demokratëve duket qartë në favor të Sali Berishës dhe çdo kandidat tjetër është në disavantazh përball ish-kryeministrit.

Në kushte kur gara për kreun e PD-së është e paracaktuar, duke parë mbështetjen, brenda Partisë Demokratike kanë nisur diskutimet për kandidatët për sekretar të Përgjithshëm, nënkryetarët apo edhe drejtuesin e Këshillit Kombëtar. Burime nga Komisioni i Rithemelimit bëjnë me dije se tri kandidaturat më të mundshme për sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike janë Belind Këlliçi. Këlliçi është ndër figurat e reja të Partisë Demokratike që ka qenë i angazhuar intensivisht në këto 9 vite që Partia Demokratike ka qenë në opozitë.

Aktualisht, ai është ende kryetar në detyrë i forumit rinor të Partisë Demokratike, por për shkak se ka mbushur moshën 35-vjeç nuk mund ta mbajë më atë post. Nga ana tjetër, Flamur Noka është një nga kandidaturat e mundshme. Ai ka qenë më herët edhe sekretar Organizativ i Partisë Demokratike dhe konsiderohet se ka njohje me strukturat e Partisë Demokratike.  Sakaq, Këshilli i ri Kombëtar i Partisë Demokratike pritet që të zgjedh edhe dy nënkryetarët e selisë blu, një prej tyre më pas do të jetë edhe kryetar i Grupit Parlamentar.

Gazeta “Panorama” mëson përmes burimeve se kandidaturat më të mundshme për nënkryetar të PD-së pritet të jenë Luçiano Boçi dhe Agron Shehaj. Të dy deputetët në zgjedhjet e 25 prillit rezultuan me mbështetje pasi të dy thyen herësin. Ndërkohë Deputeti i Elbasanit Luçiano Boçi pritet të jetë edhe kryetari i ri i grupit parlamentar. Aktualisht Boçi është një nga nënkryetarët e grupit parlamentar Bashkë me deputetin Ervin Salianji.

Surpriza pritet te drejtuesi i ri i Këshillit Kombëtar. Në Kuvendin e 30 prillit pati disa rikthime të ish-funksionarëve të Partisë Demokratike, të tillë si Arben Imami, Rudian Hajdari apo Jozefina Topalli. Pikërisht kësaj të fundit pritet ti jepet drejtimi i Këshillit Kombëtar të PD-së, megjithëse një nga pretendentët e mundshëm është edhe Edi Paloka, i cili e drejtoi për disa muaj.