Muaji i Ramazanit për diabetikët: Si të agjëroni në mënyrë të sigurt dhe si të monitoroni glukozën në gjak

Shumica e muslimanëve në mbarë botën agjërojnë gjatë sezonit të shenjtë të Ramazanit, pasi është një pjesë thelbësore e jetës së tyre shpirtërore. Shumica e njerëzve mund ta bëjnë këtë pa asnjë problem; megjithatë, kjo nuk është e vërtetë për ata që jetojnë me diabet. Pra, çfarë duhet të keni parasysh kur vendosni nëse të agjëroni, në mënyrë që të mos rrezikoni mirëqenien tuaj apo të përballeni me ndonjë problem shëndetësor?

Lloji i diabetit: Nëse jeni diagnostikuar me diabet të tipit 1, është veçanërisht e rëndësishme që të jeni të vetëdijshëm se ka faktorë të ndryshëm rreziku që lidhen me agjërimin, pasi shëndeti përkeqësohet nga fakti që jeni me insulinë. Ju jeni në rrezik të hipoglikemisë ose hipo (glukozë tepër të ulët në gjak) nëse nuk reduktoni mjaftueshëm insulinën, dhe hiperglicemia (glukozë tepër e lartë në gjak), nëse ndaloni marrjen e ilaçeve. Këto çështje shëndetësore, krahas dehidrimit, mpiksjes së gjakut dhe ketoacidozës diabetike janë më të larta te njerëzit me diabet të tipit 1 krahasuar me ata me diabet të tipit 2.

Këshilla për t’ju ndihmuar të agjëroni në mënyrë të sigurt:

Konsultohuni me mjekun tuaj

Ekipi juaj i kujdesit shëndetësor mund t’ju këshillojë se si të mbani një kontroll të mirë të diabetit. Sigurohuni që të diskutoni mbi monitorimin dhe mënyrën e trajtimit të urgjencave nëse ato lindin, dhe kërkojuni atyre të sugjerojnë ndonjë ndryshim specifik të Ramazanit në dietën tuaj, stilin e jetesës, dozën dhe kohën e mjekimit tuaj ose regjimit të insulinës.

Monitoroni glukozën në gjak

Këshillohet që të bëni monitorim edhe më të shpeshtë të glukozës se zakonisht kur agjëroni, derisa të kuptoni sigurinë e regjimit tuaj të rishikuar të insulinës. Aleanca Ndërkombëtare e Diabetit dhe Ramazanit konfirmon se shpimi i lëkurës për analizën e glukozës në gjak nuk e prish agjërimin.

Rekomandohet të kontrolloni nivelet e sheqerit në gjak të paktën katër herë në ditë:
Midis orës 10:00 dhe 11:00
Midis orës 15:00 dhe 16:00
3 orë pas iftarit
Direkt përpara Syfyrit

Hani dhe pini shëndetshëm

Ushqimi i mirë është veçanërisht i rëndësishëm në këtë kohë dhe mbajtja e një plani ushqimor të shëndetshëm do t’ju ndihmojë të shmangni ngrënien e tepërt të karbohidrateve dhe ushqimeve yndyrore në vaktin e perëndimit të diellit. Përfshini ushqime të përthithura më ngadalë që kanë një indeks glicemik më të ulët dhe përpiquni të mos keni shumë ushqime me sheqer dhe yndyrë. Gjithashtu, bëni një plan se kur duhet të merrni ilaçin tuaj të diabetit.

Asnjëherë mos e anashkaloni vaktin para agimit

Vakti i syfyrit, i cili hahet pak para agimi, është humë thelbëor dhe nuk duhet anashkaluar, duhet të jetë vakti më I bollshëm i ditës për t’ju dhënë energji të qëndrueshme. Ky vakt këshillohet të jetë i pasur me fibra, drithëra të plota dhe karbohidrate komplekse (si tërshëra, buka e thartë, kuskusi dhe orizi kaf) sepse ato treten më ngadalë se llojet e tjera të vakteve me niseshte.

Qëndroni të hidratuar

Sigurohuni që të pini shumë lëngje – përpiquni të pini dy gota lëngje pa sheqer dhe pa kafeinë çdo orë për të qëndruar të hidratuar, me një objektiv prej të paktën 2 litrash ndërmjet perëndimit të diellit dhe lindjes së diellit. Gjithashtu, zgjidhni ushqime të pasura me lëngje (perime, të tilla si kastravecat, specat jeshil dhe domatet, dhe frutat si shalqiri dhe luleshtrydhet) për t’u siguruar që të jeni të hidratuar mirë gjatë ditës.

Kur e prishni agjërimin (iftari)

Prishni agjërimin tuaj me një deri në dy hurma dhe një filxhan ujë. Tre hurma janë të barabarta me 15 g karbohidrate. Kjo do të sigurojë një nxitje të menjëhershme të energjisë dhe hidratimit për të ndihmuar në qetësimin e urisë dhe parandalimin e teprimit në fillim të vaktit tuaj kryesor. Pini shumë ujë pas Iftarit dhe bëni një shëtitje për të tretur vaktin tuaj.

Aktiviteti fizik

Ju mund të vazhdoni të bëni aktivitetin tuaj normal fizik. Megjithatë, aktiviteti i tepërt fizik duhet të shmanget pasi kjo mund të rrisë rrezikun e hipoglikemisë, veçanërisht gjatë disa orëve para vaktit të perëndimit të diellit.