Si u përpoq Putin të më rekrutonte për luftën e tij, edhe pse dikur vrau babain tim

Nga Anatoly Litvinenko “The Guardian

Nga mesi i muajit tetor, gati një muaj pasi Vladimir Putin bëri thirrje për mobilizimin e pjesshëm të qytetarëve rusë për të luftuar në luftën e tij në Ukrainë, disa njerëz trokitën në derën e shtëpisë time në Moskë, që është regjistruar si rezidenca ime zyrtare në vend.

Miqtë e familjes që banojnë aty e hapën derën dhe ndeshën 2 oficerë të administratës ushtarake ruse, të cilët i pyetën nëse isha në shtëpi. Ata u thanë se isha larguar prej andej prej më shumë se 20 vjetësh. Mobilizimi u shpall nga Putini më 21 shtator, pas 6 muaj  dështimesh strategjike, vdekje të pakuptimta dhe masakrash të kryera nga ushtria ruse në Ukrainë.

Deri më sot ka 356.520 të vrarë dhe të plagosur nga radhët e trupave ruse, ose afro 40 për qind e të gjithë forcave të armatosura ruse. Në fillim Kremlini supozoi se gjithçka do të përfundonte brenda 2 javësh, kur ushtria ruse do të marshonte në Kiev dhe rrëzonte qeverinë e Volodymyr Zelenskiy, raporton abcnews.al.

Megjithatë, konflikti po vazhdon duke u shndërrua në një ngërç të përgjakshëm, me humbjet e përshpejtuara ruse të pajisjeve, personelit dhe territorit, dhe duke kulmuar me zërat se tani Ukraina po planifikon të përpiqet të rimarrë Krimenë, të aneksuar nga Rusia që në vitin 2014.

Morali i Rusisë ka rënë po aq shpejt sa ushtarët e saj në fushën e betejës, pasi një pjesë e forcës pushtuese fillestare e trajnuar profesionalisht, u dërrmua dhe u spraps si pasojë e rezistencës së fortë dhe të papritur nga ukrainasit. Në këto kushte, Moska vendosi se duhej gjak i ri për fushatën ushtarake, edhe pse Putin më herët kishte deklaruar se nuk do të kishte një mobilizim.

Përpjekjet për rekrutim vullnetar nuk ishin as të suksesshme dhe as popullore. Mediat e kontrolluara nga shteti u përpoqën ta përshkruanin fushatën në një dritë pozitive, por e vërteta u zbulua në mënyrë të pashmangshme përmes komunikimeve personale dhe postimeve në Telegram nga ushtarët në front.

Mobilizimi “i pjesshëm” i Putinit solli rekrutimin në fillim të burrave nga territoret qendrore dhe lindore të largëta, deri mijëra km larg Moskës dhe Shën Petersburgut. Megjithatë, në një kthesë çuditërisht të shpejtë të ngjarjeve, filluan që të qarkullojnë zërat për njerëz që po u dërgohej fletëthirrja edhe në qytetet që ndodhen në skajin perëndimor të vendit, përfshirë kryeqytetin.

Thirrja ime nga ushtria ruse është sa konfuze po aq edhe jo befasuese. Marrëdhënia e familjes sime me shtetin rus nuk ka qenë saktësisht ideale që nga ardhja e Putinit në pushtet në vitin 2000. Ndaj unë do të prisja të isha në krye të çdo liste njerëzish që do të dërgoheshin në Ukrainën Lindore për t’u përdorur si mish për top.

Kjo marrëdhënie, një histori nganjëherë më e çuditshme sesa trillimi, është dokumentuar nga afër nga media dhe industria e kinemasë që nga vdekja e babait tim, Alexander Litvinenko, një kritik i hapur i Putinit. Kjo ndodhi në vitin 2006, disa javë pasi ai piu çajin e helmuar me izotopin radioaktiv Polonium 210 në një hotel në Londër.

Është një ngjarje që i dëmtoi marrëdhëniet midis Rusisë dhe Britanisë së Madhe. Edhe tani, më shumë se një dekadë e gjysmë më vonë, vdekja e babait tim është subjekt i një seriali të ri televiziv në ITV, që zgjat më shumë se 4 orë, dhe ku luan një nga aktorët më të shquar të Mbretërisë së Bashkuar, David Tennant.

Historia është aq e pabesueshme saqë disa nga pjesët më të jashtëzakonshme u lanë jashtë nga producentët, pasi u mendua se do të dilnin si trillime të dobëta. Dhe pikërisht këtu qëndron elementi që shkakton vërtet konfuzion.

Rusët e njohin mirë historinë tonë. Sesi u arratisëm unë dhe nëna ime, së bashku me babanë tim, si fituam azilin politik në Britaninë e Madhe, dhe më pas u detyruam të ishim dëshmitarë të vdekjes së tij të ngadaltë dhe të dhimbshme, nga ajo që mund të përshkruhet vetëm si një armë bërthamore mikroskopike, për të mos u kthyer më në vendin që ku lindëm dhe që po na përbuzte.

E megjithatë, pavarësisht gjithë kësaj, administrata ushtarake u shfaq në një adresë ku unë nuk kam banuar për 2 dekada dhe me sinqeritet dhe padurim u përpoq të më çonte në front. Konfuzioni i tyre ndaj përgjigjes së dhënë nga banorët e rinj që jetojnë në banesën time, është një tregues i të gjithë konfliktit në Ukrainë; një mungesë e plotë komunikimi dhe mirëkuptimi midis ideologjisë brutale të Kremlinit dhe vuajtjes së qytetarëve ruse që janë gjithnjë e më të indinjuar dhe të pavullnetshëm.

Po të isha në shtëpi, do të më kishin dhënë rreth 30 minuta kohë për të paketuar gjërat e mia dhe për t’u nisur nga shtëpia me ta, ndoshta për të mos u kthyer më kurrë. Pyes veten nëse ndonjë nga miqtë e mi të fëmijërisë kanë pasur vizitorë të ngjashëm në shtëpitë e tyre, teksa u gëzova që isha larg shtëpisë sime. Shmangia e një plumbi është sa emocionuese po aq edhe tmerruese. Por më vjen mirë që kjo frazë është metaforike dhe jo në kuptimin e saj të parë.

/albeu.com


Shtuar 6.12.2022 09:48