U plagos natën e Vitit të Ri, Policia: Po i merrte armën një 15-vjeçari

Një shtetas ka mbetur i plagosur në njësinë Postribë në Shkodër pasi është vetëplagosur aksidentalisht me një pistoletë që mbante pa leje.

Policia ka njoftuar se i riu donte që t’ i merrte armën një 15 vjeçari ndërsa gjatë përpjekjes arma është shkrepur aksidentalisht.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 24:00 në momentin e ndërrimit të viteve.

Pas vetëplagosjes menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë duke nisur punën për hetimin e ngjarjes.

Arrestimi ka ardhur pasi i vetëplagosuri është detyruar që të shkojë në spitalin e Shkodrës për të marrë ndihmë mjekësore.

Njoftim policie

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër arrestuan shtetasin S. P., 19 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, pas konsultimit me prokurorin, për një shtetas të mitur 15 vjeç, për veprën penale “Plagosja nga pakujdesia”.

Nga veprimet hetimore rezultoi se në fshatin Boks të njësisë administrative Postribë, shtetasi S. P., rreth orës 21:00 të datës 31.12.2022, ka shkuar afër një objekti kulti në fshatin Boks, me një armë zjarri pistoletë me vete, për të qëlluar në ajër.

Në këtë vend kanë qenë edhe 15-vjeçari dhe disa shtetas të tjerë të mitur. Shtetasi S. P. i ka dhënë armën e zjarrit 15-vjeçarit, që të qëllonte edhe ai në ajër.

Në momentin që shtetasi S. P. ka dashur t’ia marrë armën 15-vjeçarit, arma është shkrepur aksidentalisht edhe për pasojë është plagosur në këmbë shtetasi S. P.

Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në vendin e ngjarjes një armë zjarri pistoletë, të cilën e mbante pa leje shtetasi S. P.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme./albeu.com