Presidenti Bardhi i gëzohet shtëpisë së re të Dinamos: Do të na kenë shembull! Jemi stabilizuar për 15 vite, mund të ketë surpriza

Presidenti i Dinamos, Ardian Bardhi, është i kënaqur me ekipin duke u bazuar në atë që ka treguar gjatë kësaj faze përgatitore, por më së shumti atë e gëzon investimi për shtëpinë e re dinamovite, pikërisht me kompleksin në Arbanë.

Jo vetëm merkatoja dhe skuadra e sezonit të ri. Projekti i Dinamos së ardhshme ka pjesë shumë të rëndësishme edhe shtëpinë e re të saj, që për 15 vitet e ardhshme do të jetë në Arbanë.

Presidenti i bluve, Adrian Bardhi, më shumë se skuadrës i gëzohet pikërisht shtëpisë së re.

“Jam i kënaqur nga skuadra, nga puna që është bërë dhe niveli që ka treguar në miqësore. Por, më duhet të theksoj se më shumë më kënaq investimi që po kryejmë në Arbanë, në shtëpinë tonë të re.

Të paktën për 15 vjet e kemi siguruar shtëpinë, por rrugës mund të kemi edhe surpriza. Po mundohemi të kemi një seli tonën të kompletuar në çdo aspekt, siç e kanë edhe klubet europiane. Kemi ndërtuar një fushë të re, me kualitet shumë të lartë, por jo vetëm kaq.

Duam të kemi aty hotelin e lojtarëve, sallën e forcës, sallën e konferencave për shtyp dhe gjithçka që i nevojitet një klubi.

Kjo është shumë e rëndësishme, Dinamo më në fund do të ketë kompleksin e saj, që sigurisht do të shërbejë edhe për akademinë, për të gjitha skuadrat. Nuk dua ta fsheh se jam shumë i kënaqur për këtë punë që po bëjmë.

Te jeni të sigurt se Dinamo do t’i japë gjallëri futbollit shqiptar, do të merret shembull nga të tjerët. Do të jemi të kompletuar në çdo drejtim”, u shpreh fillimisht presidenti Bardhi për “Panorama Sport”.

SKUADRA – I pyetur më tej në lidhje me merkaton dhe grupin që ka aktualisht Dinamo, kreu i klubit kryeqytetas përsëriti qëndrimin e tij të përhershëm për skuadrën.

“Më kënaq kjo skuadër, ky grup që po formojmë. Sepse kam parë një skuadër me karakter në fushë, një skuadër serioze.

Kjo është ajo që kam dashur gjithmonë dhe ndoshta më mirë që na ndodhi kështu, me rënien nga kategoria.

E përsëris, ne po investojmë bashkë me ortakun Gjidodaj për një skuadër me baza të forta për të ardhmen, për një Dinamo që të jetë numri 1. Besoj se jemi në rrugën e duhur”, përfundoi presidenti i bluve. /panormasport/