Sekretet që fshehin ngjyrat në marketing
Ngjyrat janë shumë të rëndësishme në jetën tonë për shkak se përçojnë tek ne sinjale dhe nbdikojnë në gjendjen tonë emocionale.

Për këtë arsye në ambientet tona të punës janë të ngjyrosura me ngjyra të cilat na inspirojnë dhe frymëzojnë.

Ngjyra blu e logos të rrjetit social më popullor në botë Facebook ka ngelur e pandryshuar që nga krijimi, në 2004. Një ngjyrë që pati një sukses aq të madh, sa firmat e tjera të uebit, duke ndjekur këtë rrugë, kanë adoptuar ngjyrën blu ose të kaltrën si karakteristika dalluese të tyre (mjafton të mendojmë për Twitter, Flickr ose LinkedIn).

Por, nëse besoni se zgjedhja ngjyrës së sfondit të Facebook-ut ka qenë e gjatë dhe e vështirë, atëherë jeni jashtë rruge. E vërteta është ndryshe dhe e thjeshtë.

Disa vite përpara se të themelonte Facebook-in, Mark Zuckerberg zbuloi që kishte një formë daltonizmi, që e bënte të verbër ndaj ngjyrës jeshile dhe asaj të kuqe.

“Bluja është ngjyra më e pasur për mua”, deklaroi ai tre vite më parë në një intervistë për New York Times “arrij ta shoh mirë, në tërësinë e saj”.

Por, zgjedhja e ‘babait’ të Facebook-ut ishte një goditje fati duke u bërë e suksesshme, pasi në të vërtete procesi i përzgjedhjes së ngjyrës për një produkt të ri kërkon një analizë të gjatë, shkencore dhe më komplekse.

Një nga mrekullitë e shqisës sonë të të parit është aftësia e saj për të dalluar ngjyrat. Rëndësia e ngjyrave dhe truket që fshihen pas tyre, kanë lidhje të drejtpërdrejtë me zhvillimet dhe arritjet e ndryshme të marketingut, por jo vetëm. Sipas statistikave, 87 për qind e klientëve përmendin ngjyrën si nxitësin kryesor, që i shtyn ta blejnë ose jo një produkt. Kërkuesit kanë zbuluar se në mënyrë të pavetëdijshme, njerëzit bëjnë një vlerësim pamor të shpejtë në 90 sekondat e para që shohin një mjedis apo produkt. Ekspertët e marketingut shprehen se kur njerëzit blejnë diçka, 93 për qind e tyre mbështeten te pamja e jashtme e produktit, 6 për qind shohin materialin dhe vetëm 1 për qind i kushton rëndësi aromës që mban sendi. Rreth 80 për qind e njerëzve pranojnë se i njohin më mirë markat vetëm prej ngjyrës së përdorur. Më se 50 për qind e konsumatorëve nuk e vizitojnë më një dyqan nëse ngjyra e mureve të tij nuk i ka pëlqyer. Mendohet se reklamat me ngjyra tërheqin 42 për qind më shumë vëmendje sesa reklamat bardhezi. Përdorimi i ngjyrave përmirëson aftësinë për të mësuar nga 55-68 për qind, aftësinë për të lexuar me 40 për qind dhe rrit me 73 për qind mundësinë e të kuptuarit të diçkaje. Ja sekretet që fshihen pas çdo ngjyre kryesore.

E kuqja është ngjyra më e preferuar e të gjitha kohërave, ndoshta sepse ajo përfaqëson një emocion shumë të fortë siç është dashuria. Ajo lidhet me pasionin dhe intensitetin e ndjenjave të ndryshme.

Në fushën e marketingut, ngjyra e kuqe përdoret më së shumti në restorante, pasi mendohet se nxit oreksin. Siç mund ta keni vënë re, ngjyra e kuqe përdoret edhe për të tërhequr vëmendjen e konsumatorëve në raste ofertash apo shitjesh, sepse nxit një lloj impulsi të tërheqjes te njerëzit.

E kuqja përdoret edhe për të sinjalizuar një rrezik apo urgjencë, siç është rasti i ambulancave, semaforëve dhe tabelave rrugore. Kompani të mëdha që e përdorin ngjyrën e kuqe në logot e tyre janë Mc Donald’s, YouTube, Lay’s, H&M, CNN, Nintendo, Red Bull, Toyota dhe Adobe.

E verdha është ngjyra e lidhur me lumturinë, gjallërinë, lojën dhe gëzimin. Për sytë, ajo është një ngjyrë që shkakton lodhje dhe tendosje. Sa herë që një bebe shikon ngjyrën e verdhë, ka shumë mundësi që ajo të qajë. Kjo ngjyrë nxit komunikimin dhe stimulon sistemin nervor.

Në fushën politike e verdha përfaqëson liberalët. Në marketing, ajo është sinonim i rinisë dhe optimizmit. Përdoret në reklama apo në vitrina për të tërhequr vëmendjen e kalimtarëve. Ngjyra e verdhë nënkupton qartësinë dhe pastërtinë.

Kompanitë që përdorin ngjyrën e verdhë janë CAT, IMDB, National Geographic, DHL, Nikon dhe Shell.

Ngjyra e zezë tregon vlera, prestigj, qëndrueshmëri dhe sofistikimin e një marke. Janë të zeza, ose të zeza dhe të bardha shumë nga firmat e njohura italiane të modës si Armani, Gucci, Versace, Dolce e Gabbana.

Ngjyra rozë u boshatis portofolët vajzave të reja, e zeza atyre që blejnë mall elegant dhe cilësor. Ikona të verdha, rozë, ose në ngjyrë të portokalltë shpesh përdorën për në vitrina dyqanesh për të marrë vëmendjen tuaj dhe në ueb tregojnë ikona blerjesh ose abonimesh.

Bluja është e lidhur me paqen, sigurinë dhe ujin. Pëlqehet më së shumti nga meshkujt dhe prezanton qetësinë e kthjelltësinë. Fakti interesant për ngjyrën blu është se ajo parandalon urinë. Është një ngjyrë gjithnjë e pranishme për njerëzit, pasi është ngjyra e qiellit dhe e detit. Nga pikëpamja psikologjike, bluja rrit produktivitetin dhe për këtë arsye përdoret më së shumti në zyra.

Por ngjyra blu duket se ul dhe agresivitetin. Në vitin 1999, disa lagje në Glasgou, Skoci, vendosën ti ndriçonin rrugët natën me neone ngjyrë blu. Që atëherë, sipas burimeve policore lokale krimet rënë ndjeshëm në këto zona. I njëjti eksperiment u bë edhe në disa lagje të prefekturës së Naras, Japoni. Rezultati: vjedhjet dhe vrasjet ranë me 9 për qind në rrugët të ndriçuar me blu. Në 2009, Japonia vendosi që disa stacione hekurudhore të ndriçoheshin me ngjyrë blu për të zvogëluar tentativat e vetëvrasjeve.

Në politikë, ngjyra blu është përfaqësuese e atyre me pikëpamje konservatore dhe përdoret më së shumti nga partitë demokratike të shteteve.

Në marketing, ngjyra blu përdoret për të rritur rendimentin e punës dhe për të qenë sa më qetësuese. Markat e njohura e përdorin ngjyrën blu në produktet e tyre, pasi ajo rrit sigurinë dhe besimin.

Kompanitë që përdorin ngjyrën blu janë Facebook, Twitter, Pepsi, Word, Ford, Skype, Dell dhe Walmart.

Portokallia është ngjyra që lidhet me entuziazmin dhe ekzaltimin. Reflekton ngrohtësi dhe përdoret për të dhënë paralajmërime.

Në pikëpamje politike, portokallia paraqet Vendet e Ulëta dhe familjet e tyre mbretërore. Në marketing, portokallia është simbol i agresionit, nxit ndërmarrjen e veprimeve si blerja dhe shitja, mendohet se i shkakton impulse të shumta blerësve dhe përfaqëson markat miqësore, të gëzuara dhe të besueshme.

Kompanitë që përdorin ngjyrën portokalli janë Amazon, Mozilla Firefox, Fanta dhe Harley-Davidson.

E gjelbra është një nga ngjyrat më të pëlqyera dhe më qetësuese. Ajo lidhet me shëndetin dhe natyrën. Ngjyra e gjelbër simbolizon edhe paratë. E gjelbra parandalon dhembjet e stomakut tek punëtorët që punojnë në një mjedis të gjelbër dhe ul ndjeshëm nivelin e depresionit. Kjo ngjyrë përdoret tek syzet e natës, pasi syri ynë është shumë më i ndjeshëm për të dalluar forma nën efektin e së gjelbrës.

Nga pikëpamja politike, ajo lidhet me ambientalistët. Në marketing përdoret për të dhënë ndjesinë e qetësisë, shëndetit dhe mendohet se përçon mesazhe seksuale. Prej shumë kohësh është simbol i pjellorisë. Kompanitë që përdorin ngjyrën e gjelbër janë XBOX, John Deere, Android, Land Rover dhe Excel.

Vjollca është ngjyra që përfaqëson më së miri shëndetin, suksesin dhe diturinë. Për shkak se shumë mbretër preferonin ngjyrën vjollcë për veshjet e tyre, nga pikëpamja politike, ajo përfaqëson mbretërinë.

Në marketing vjollca përdoret për produktet që reklamojnë bukurinë dhe luftën ndaj plakjes. Ajo i transmeton klientit rehatinë dhe qetësinë. Në marka të njohura, ngjyra vjollcë përdoret për të nxitur imagjinatën, krijimtarinë dhe mençurinë. Një nga kompanitë më të njohura që përdor këtë ngjyrë është Yahoo.

Ngjyrat më të përdorura nga 100 firmat më popullore në botë janë bluja në 33 për qind të rasteve, e kuqja me 29 për qind, gri ose e zezë me 28 për qind e bardhë ose e artë me 13 për qind; 95 për qind firmave të mëdha përdor vetëm një ose dy ngjyra maksimumi në logot e tyre./albeu.com/
Shtuar më 10/01/2017, ora 10:42

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori