Endri Xhafo rrëfen ndryshimet në televizionin ku punonte: Nuk është kohë e mirë për të qenë gazetar!

Gazetari Endri Xhafo shpjegoi në A Show me Adi Krastën atë që po ndodh me televizionin ABC.

Xhafo ka drejtuar prej një kohe të gjatë emisionin politik Log në ABC.

Ndërrimi i pronarëve bëri që edhe Xhafos t’i ndërpritej kontrata e punës, ndryshe nga garancitë që ishin dhënë fillimisht.

Xhafo thotë se gjithçka ndryshoi brenda një fundjavë, gjatë udhëtimit të përfaqësuesve të bordit të ABC në Kosovë.

“U dhanë në fillim garanci. Ka qenë një udhëtim në Kosovë në të cilën duhet të isha edhe unë, por atë ditë kisha doktor Berishën në emision dhe nuk mund ta regjistroja, ishte live.

Në atë udhëtim kanë marrë pjesë Idaver Sherifi administrator i ABC, Sonila Ago, Andi Tela dhe Enkel Demi.

Andi Tela, Idaveri dhe Enkel Demi ishin anëtarë të bordit të ABC ku për shumë kohë ka qenë edhe Alban Jaho dhe pronari. Shkuan në Kosovë, pasi kishte mbaruar kontrata dhe atje u dha garanci. Cilat ishin garancitë?

Garancitë ishin që do të vazhdohej me të njëjtët njerëz, përfshirë edhe administratorin i cili firmos letrat, firmos paratë, por me ndërrimin e pronarit u dha garanci që do të vazhdohet me këta njerëz.

Do të vazhdohet me një linjë editoriale të ekuilibruar si dhe do të vazhdohet me programacionin. Madje, edhe emisionet që nuk ishin hapur si Kutia 21 e Enkel Demit me Edi Ogën, apo Kosherja do të rihapeshin. Log mund të kalonte 3-4 herë në javë sikurse ishte menduar.

Gjithçka ka ndryshuar brenda një fundjave. Kemi të gjithë një ide të asaj që mund të ketë ndodhur. Brenda një fundjave është larguar administratori Idaver Sherifi i cili nuk do të pranonte një largim masiv të njerëzve”, tha Xhafo.

Ai përmendi gazetarët dhe drejtuesit e larguar nga ABC si: Idaver Sherifi, Endri Xhafo, Andi Tela, Emirjon Senja, Ermal Peçi, Agim Baçi, Sonila Agaj, drejtoreshë e burimeve njerëzore dhe anëtare e bordit mbikëqyrës, Luljeta Progni autore e emisionit Vetting, si dhe emisioni Piranjat si produksion i jashtëm./syri.net


Shtuar 10.01.2023 22:49