Lufta në Ukrainë, ISIS: Momenti i duhur për sulme në Evropë

Grupi i Shtetit Islamik (ISIS) u zotua të dielën për “hakmarrje” për vrasjen e ish-liderit të tij, duke u bërë thirrje mbështetësve të përfitojnë nga lufta në Ukrainë për të organizuar sulme në Evropë.

“Ne shpallim, duke u mbështetur në Zotin, një fushatë të bekuar për të marrë hak” për vdekjen e Abu Ibrahim al-Qurashi dhe ish-zëdhënësit të grupit, thuhet në një mesazh audio që i atribuohet grupit dhe qarkullon në aplikacionin e mesazheve Telegram.

Thearabweekly shkruan se zëdhënësi i ri i grupit, Abu-Omar al-Muhajjir, u bëri thirrje gjithashtu mbështetësve të rifillojnë sulmet në Evropë, duke përfituar nga “mundësia e disponueshme” e “kryqtarëve që luftojnë njëri-tjetrin”, në lidhje me pushtimin rus të Ukrainës.

Udhëheqësi i mëparshëm i grupit militant vdiq në fillim të shkurtit kur shpërtheu një bombë për të shmangur kapjen gjatë një sulmi të SHBA në veriperëndim të Sirisë, thanë Shtëpia e Bardhë dhe zyrtarët e mbrojtjes amerikane.

Më 10 mars, grupi konfirmoi vdekjen e tij, së bashku me ish-zëdhënësin e grupit, duke emëruar Abu Hasan al-Hashemi al-Qurashi si kreun e ri të tij. Dihet pak për liderin e ri, i cili është kreu i tretë i grupit xhihadist që nga fillimi i tij.

Pas humbjes së territorit të tyre të fundit nën një sulm ushtarak të mbështetur nga koalicioni i udhëhequr nga SHBA në mars 2019, mbetjet e ISIS në Siri kryesisht shkuan në strehëzat e shkretëtirës. Ata kanë përdorur strehë të tilla për t’u bërë pritë forcave të udhëhequra nga kurdët dhe trupave qeveritare siriane. Xhihadistët gjithashtu vazhdojnë të kryejnë sulme në Irak./albeu.com