Pse macet i bëjnë mirë shëndetit të njeriut
Mbajtja e një maceje në shtëpi redukton stresin dhe ndihmon në rigjetjen e ekuilibrit të duhur psikologjik e emocional.

Përfitimet e mbajtjes së maceve sipas shkencës:

Përgjysmojnë rrezikun e alergjive

Një studim i botuar në “Journal of the American Medical Association” në Xhorxhia të SHBA-së ka arritur në konkluzionin se macet reduktojnë, madje mund të përgjysmojnë rrezikun e alergjive. Kjo bëhet e mundur për shkak të disa substancave që gjenden në gojën e miqve tanë me katër këmbë, dhe që na transmetohen gjatë kontaktit të përditshëm, kanë efekt mbrojtës.

Një studim i zhvilluar për 12 muaj tek 400 fëmijë më të vegjël se 1 vjeç në Kuopio të Finlandës, ka arritur në konkluzionin se kafshët shtëpiake zvogëlojnë mundësinë e shqetësimeve në aparatin e frymqëmarrjes, si kolla, vështirësitë gjatë mbushjes me frymë, rinitin alergjik dhe madje edhe problemet me veshët.
Reduktojnë rrezikun e sëmundjeve kardiake

Kur kujdeseni për një mace ulet niveli i stresit dhe ky efekt qetësues për një kohë të gjatë ju mbron zemrën.
Një studim i realizuar nga “American Journal of Cardiology” ka arritur në konkluzionin se pronarët e maceve jetojnë të paktën një vit më gjatë se ata që nuk mbajnë mace.
Në këtë rast avantazhi vjen nga përkëdheljet që i bëhen maceve dhe dëgjimi i gërhimave të tyre.
Këto zhurma kanë një efekt qetësues për zemrën. Madje disa specialistë janë të mendimit se mbajtja e një maceje redukton rrezikun e infarktit në zemrë.

Largojnë depresionin dhe përmirësojnë humorin

Gërhitjet janë karakteristike për macet, të cilat e bëjnë gjumin me “vibrime”. Kjo veçanti e felinëve del në pah edhe sa herë që përkëdhelen dhe macet ndihen të kënaqura. Por kjo është edhe një mënyrë e maceve për të qetësuar kotelet gjatë ushqyerjes me gji.
Pavarësisht se nuk është kuptuar akoma se si prodhohen, studiuesit kanë vënë re që frekuencat e gërhimave të maceve janë të ngjashme me ato të Hertz-it në disa kura terapeutike.
Sipas studimeve të ndryshme zhurma e vibrimeve që vjen nga gërhitjet e maceve ka efekte të ndryshme tek persona te ndryshëm si psh: efekt qetësues dhe relaksues, por është vënë re gjithashtu që ajo bën të qeshin njerëzit e prekur nga depresioni dhe fëmijët, stimulon shoqërueshmërinë e personave të turpshëm, frenon impulset e dhunshme dhe relakson personat nervozë.

Forcojnë sistemin imunitar të fëmijëve

Fëmijët që kalojnë shumë kohë në shoqërinë e një maceje (apo të një kafshe tjetër shtëpiake) rriten më të mbrojtur jo vetëm nga alergjitë ndaj qimeve të kafshëve, por edhe llojeve të tjera. Studime të ndryshme kanë arritur në përfundimin se është e rëndësishme që gjatë vitit të parë të jetës fëmija të ketë kontakt me kafshë të ndryshme shoqërimi. Kjo jo vetëm që do ta bëjë më të shoqërueshëm, të përgjegjshëm dhe komunikues, por do të forcojë sistemin e tij imunitar, duke e bërë më rezistent ndaj infeksioneve.

Përmirësojnë gjumin

Shumë prej njerëzve që kanë mace tregojnë se bëjnë gjumë më të thellë në prani të tyre. Një studim i publikuar në “Mayo Clinical Proceedings” e përforcon këtë bindje, duke thënë se macet na ndihmojnë të bëjmë një gjumë më të qetë. Këtë e kanë deklaruar 41% e pjesëmarrësve në studim, ndërsa vetëm 20% e tyre janë shprehur se prania e një kafshe në dhomë i shqetësonte. Por sipas autorëve të kërkimit, macet, apo kafshët e tjera shtëpiake ju dhurojnë mirëqënie fizike dhe mendore.

Shtuar më 07/05/2019, ora 14:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori