Kompanitë ruse në skandalin “McGonigal”, Rama “thumbon” opozitën: Kanë marrë peshqeshe nga qeveria e mëparshme, jo e jona

Kryeministri Edi Rama tha sot në Top Story se ka të dhëna se disa kompani ruse të përfshira në skandalin me ish-agjentin e FBI-së të jenë favorizuar nga qeveria e mëparshme dhe se nuk ka asnjë implikim të tijin apo qeverisë aktuale.

Rama tha se këto kompani kanë marrë peshqeshe nga qeveria e mëparsgme.

“Ajo që mund të them unë është shumë e thjeshtë, kompanitë ruse për të cilat flitet janë kompani që kanë marrë peshqeshe dhe kontrata nga qeveria e mëparshme dhe që në rastin e qeverisë tonë nuk kanë marrë asnjë lloj kontrate, qeveria jonë nuk ka bërë asnjë peshqesh duke dhënë fusha nafte pa garë. Kjo është një flluskë e jashtëzakonshme shumë e madhe. Ato kompani kanë marrë peshqeshe pa garë nga qeveria e mëparshme. E vërteta e thjeshtë është që nuk ka asnjë implikim të asnjë natyre jo timin pore të asnjë zyrtar shqiptar se po të kishte do të ishte në aktakuzë”, tha Rama.

Charles McGonigal ka marrë para nga një ish-punonjës i shërbimeve inteligjente shqiptare dhe për mos-raportimin e kontakteve dhe lidhjeve me zyrtarë të shteteve të tjera.
Sipas akt-akuzës, ish zyrtari i FBI-së rezulton të ketë marrë një shumë prej 225 mijë dollarësh nga shqiptaro-amerikani Agron Neza.

Kishte qenë vetë McGonigal që në gusht dhe më pas në shtator të vitit 2017 i kishte kërkuar Nezës nëse mund t’i siguronte një sasi parash, të cilat ky i fundit ia dha përgjatë vjeshtës së atij viti në tre episode të ndryshme.

Por përveç Nezës, në akt-akuzë shfaqen dhe lidhje të tjera të ish zyrtarit të FBI-së me personazhe të tjerë nga Shqipëria, ku ai realizoi disa vizita, gjatë së cilave zhvilloi dhe takime me kryeministrin Rama.
Takimet mes tyre janë zhvilluar gjithnjë në prani të Nezës dhe Dorian Duçkës të cilin akt-akuza e përshkruan si “i punësuar nga një konglomerat kinez energjie.

/albeu.com/