Berisha i prerë: Nuk do të bashkëpunoj me Bashën dhe Alibeajn për zgjedhjet e 14 majit

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se nuk do të bashkëpunojë me Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn për zgjedhjet e 14 majit.

Në emisionin “Opinion”, kreu i demokratëve theksoi se Alibeaj dhe Basha janë pengje të kryeministrit Edi Rama dhe se përdoren prej tij për të dëmtuar PD.

Sali Berisha: Nuk ka marrëveshje me pengje, po nuk i dha leje pengmarrësi. Lulzim Basha dihet botërisht, fillimisht njerëzit, jo të gjithë e besonin që ishte peng. Tani me zhvillimet e fundit dhe me daljen në dritë të të gjitha aferës Rama-McGonigal është e qartë si kristali se mbyllja e dosjes në Apel nga Edi Rama ishte pengmarrje për Lulzim Bashën, të sigurtë të jeni se jo më pak i marrë peng është Enkelejd Alibeaj dhe me pengje të jesh i bindur mund të negociosh me pengmarrësin, por me pengun nuk ka negociata sepse pengu është në dorën e pengmarrësit. Ata që mendojnë se mund të negociohet me Bashën dhe me Alibashën, ata mendojnë se mund të negociohet me hiçin. Ata janë thjesht pengje, vegla në duart e Edi Ramës.

Këta dy persona vendosën standardet më të ulëta të integritetit njerëzor në politikë. 30 vite në politikë, shkelmimin që i kanë bërë ata vetes së tyre, nuk ju ka bërë askush në 32 vite. Për këtë absolutisht që nuk më vjen mirë, por ndjej lehtësim që ata kanë marrë vendin që meritojnë.

Vula mbahet peng nga Edi Rama dhe ajo është për t’u çliruar. Qëllimi i tyre i parë ishte që ne të mos marrim pjesë në zgjedhje. Ne do të marrim pjesë në zgjedhje dhe nga këto zgjedhje ne do të dalim më të fortë se kurrë. Këta janë përpëlitje të njerëzve që nuk kanë asnjë moral, asnjë princip, të njerëzve të korruptuar. Në këtë aspekt, ne ndihemi krenarë dhe më të motivuar se kurrë në këtë betejë.


Shtuar 6.03.2023 22:35