Kërcet arma në Prishtinë, plagosen 2 persona

Dy persona kanë mbetur të plagosur me armë zjarri. Ngjarja e rëndë është regjistruar në Prishtinë, në orën 22:30 të një nate më parë. Sipas Policisë, fillimisht është raportuar për të shtëna me armë zjarri nga banorët e rrugës “Ahmet Krasniqi” në kryeqytetin e Kosovës. Në momentin që në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e policisë kanë konstatuar dhe dy personat e plagosur, si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Të plagosurit janë dërguar në spital ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Nga ana tjetër policia bën me dije se ka identifikuar autorin e plagosjes së dyfishë dhe është vënë në kërkim të tij. Identitetet e personave të përfshirë në ngjarje dhe shkaqet, nuk dihen ende.

Njoftimi i policisë: Rreth orës  22:30, kemi marrë informatën për të shtëna me armë  në rrugën “Ahmet Krasniqi “në Prishtinë. Bazuar në të dhënat fillestare, raportohet për dy persona të plagosur, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Lidhur me këtë rast policia ka identifikuar një person të dyshuar. Aktualisht hetuesit  policor, janë në kërkim të tij dhe kanë nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti.