Negociatat e paqes, Zelensky fton presidentin kinez në Ukrainë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka bërë një ftesë presidentit kinez Xi Jinping për të vizituar Ukrainën, raporton Associated Press.

” Ne jemi gati ta shohim atë këtu ,” tha Zelensky në një intervistë me agjencinë e lajmeve.

Xi nuk ka folur me Zelenskyn që nga shkurti i kaluar kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës. Sakaq Kina publikoi muajin e kaluar një plan prej 12 pikash për “një zgjidhje politike të krizës së Ukrainës “.

Xi diskutoi konfliktin me ” mikun e tij “, presidentin rus Vladimir Putin, gjatë një vizite zyrtare në Moskë javën e kaluar, megjithëse bisedimet nuk treguan përparim drejt përfundimit të luftës.

Propozimi i Kinës përfshin një thirrje për de-përshkallëzimin dhe një armëpushim në Ukrainë .
Megjithatë, SHBA- ja ka mbetur kundërshtuese ndaj propozimit, pasi Kina ka refuzuar të dënojë Rusinë për pushtimin e saj në Ukrainë.

SHBA argumenton se një armëpushim në këtë kohë do të siguronte përfitime territoriale ruse dhe do t’i jepte ushtrisë së Putinit më shumë kohë për t’u rigrupuar.

Ukraina ka mirëpritur përfshirjen diplomatike të Kinës , por Zelensky ka thënë se do të marrë parasysh marrëveshjet e paqes vetëm nëse trupat ruse tërhiqen nga toka ukrainase./albeu.com/