Letra e Skënderbeut për popullin shqiptar

Nga Lutfi Dervishi

Fort të nderum shqyptarët e mi,

Në datën e lindjes sime desha t’iu falënderoj përzemërsisht për urimet që ndoshta mi dërgoni nesër e tutje, për shkak se sot, më thanë se keni një dasëm të madhe (mbase më të madhe se dasma ime motmoti me Donikën). Gaz e gëzime paçi në jet e mot!

E kuptueshme që populli harliset ca në dasëm, por nuk po di çka po bajnë liderat tuj, pasardhësit e mi në këto troje.

VI shekuj kanë kaluar dhe më duket sikur janë veç 6 ditë.

Bota ka ndryshue, por disa gjana mbeten të përjetshme ndër ne shqyptarët.

Sot është dita me përkujtue e me falenderue shkëlqesinë e tij ambasadorin e Venedikut që jo vetëm më pajtoi me vllaun tim Lek Dukagjini, por edhe ndihmoi fort për organizimin e Besëlidhjes së Lezhës.

Porosia ime për ju sot asht: Nigjoni ambasadorët e vendeve mike, se pa ta do vriteni vllau me vllaun. Ja edhe sot vetëm ambasadorja e Venedikut të kohës tuj (SHBA) u kujtue për datelindjen time me një postim në Instagram.

Ligshtohem fort kur më thonë se shqyptarët po e lan Shqypninë mbi themelet e së cilës u bë kurban gjak trimash e trimreshash.

Duhet me qenë krenar që jemi shqyptar, jemi në trojet tona e për to kemi derdh boll gjak me ja lanë sri-lankasave, indianëve e ku po e di unë se kush po vjen tjetër…

Kam nigju se jo vetëm keni ba paqe me otomanët, por jeni edhe miq, biles edhe telenovelat e tyne fort po i shikjoni!

Ani. Boll mirë. Edhe unë, kam luftue, por edhe kam ba ujdi me turkin, gjithnji në interes të Shqypnisë…

Tash që ka ardh moti mos me luftue me otomanët apo edhe me kojshitë, duhet me luftue anmikun që po largon shqyptarët nga trojet e veta të lashta sa vetë bota.

E kam fjalën për armikun e padukshëm e jo për at dreq virusi që ju msheli në votrat tuaja tri vite ma parë, por për korrupsionin.

Brengosem fort për këtë armik të egër. “Korrupsionin s’na e kanë sjellë të huajt, por e kemi mes nesh”.

Duhet me u përball pa mshirë, me e luftu edhe ma egër se ç’kam luftue unë turkin.

Duhen ligje të rrepta e ndëshkime të ashpra, Fort ma t’ashpra se ato të Kanunit të Lek Dukagjinit.

Duhet me luftue, por jeta asht edhe me e jetue.

Duhet me e zhvillu Shqypninë se trulli asht pjellor. Në kohën teme krypa ishte sendi ma me vlerë. Dhelpra (Vendediku) ma lypi me e marr me koncesion, por e nuhata që e kishin davanë me hile. Andaj kujdes me koncesionet apo PPP-të si po i thojni ju sot.

Ato varfnojnë popullin e pasunojnë një grusht batakçijsh nga ata që janë gati me i von zjarrin Shqypnis me e bo parcel per do prona të tyne.

Porosia ime e fundit për ju sot ka të baj me atdhedashuninë.

Duajeni atdheun dhe gjuhën shqype or shqyptar t’mir.

Gzohem fort se ata qi 600 vjet ma parë shkun e lypën azil në Itali e kanë rujt gjuhën, doket e zakonet tona e ligshtohem fort kur nigjoj se shqiptarët që lypin azil sot në Europë po e harrojnë shqyen e nuk po ua mësojnë cullave të vet.

Porosi ime për ju asht ajo që ju kam lanë para se të ndërroja jetë:

Qëndroni të bashkum në Europën e Bashkume.

I juaji

Skanderbe

P.S. A munet kush me m’dërgu dy kart e letër e me m’kthjellu do vogëlsina:

1.Pse emnin tim Skënderbeu ja keni vendos ekipit të futbollit të Korçës, e jo të Krujës?

2. Pse emnin tim, emnin e heroit tuj kombtar ia keni njit nji pije alkoolike?

3. Pse nuk ma keni gjet ende vendlindjen? Has? Mirditë? Mat? Dibër?

4. Pse shpatën dhe përkrenaren tim e keni lënë në Vienë?

5. Kush asht ky burrë sot tek ju që nji gru ministresh m’kan thanë e ka krahasur me mu Skanderbeun?

6. Vrana Konti m’ka raportue se ka nis nji debat me ma ça nëntoken te trulli madh me emnin tim në Tiranë e ksisoj me liru trafikun. Boll mir ja bëni po a mundet me kalu me kal aty?

7. Dikur mblodha ca thupra për me i diftu princave shqyptar se duhet me ken t’bashkue. Po tani për ça po i perdoni thuprat, për t’u bashku apo për t’i nxjerr syt njani-tjatrit?

Ju falemners!