Kapet në kufi me mbi 21 mijë euro 40-vjeçari, tentoi t’i kalonte në Greqi

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në kuadër të kontrolleve të shtuara, bazuar dhe në analizën e riskut, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm një automjet tip “Opel”, me drejtues shtetasin F. D., 40 vjeç, banues në Selanik, Greqi.

Gjatë kontrollit, në çantën e dorës së 40-vjeçarit u gjetën 21 800 euro që ai nuk i kishte deklaruar siç përcaktohet në ligj. Shuma monetare u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Veprimet e mëtejshme procedurale u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, të cilët referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin F. D.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.


Shtuar 22.06.2023 09:58