Turqia e Erdoganit po përballet me një eksod në rritje përpara zgjedhjeve të majit

Nga Stefanie Glinski “Foreign Policy

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Stamboll – Kur shkencëtarit turk të të dhënave Bulut Ficici iu bë një ofertë nga një kompani holandeze rekrutimi për një punë në Holandë, ai nuk u mendua dy herë. Gati një vit më parë, 25-vjeçari bëri gati valixhet, la pas jetën dhe miqtë e tij në Stamboll dhe iu bashkua një eksodi gjithnjë në rritje të turqve të rinj, të zhgënjyer, të cilët thonë se tani për tani kanë hequr dorë nga vendi i tyre.

“Unë e dua Turqinë, por nuk kisha më mundësi të jetoja në një qytet si Stambolli. Politika dhe ekonomia kanë shkuar drejt greminës. Kishte ardhur koha të largohesha”- deklaroi ai gjatë një bisede telefonike që zhvilloi me mua nga apartamenti i tij në Roterdam.

Ndërsa zgjedhjet, të caktuara për më 14 maj, po afrohen me shpejtësi, shumë turq po “votojnë” me largimin e tyre nga vendi, duke përmendur mosbesimin ndaj qeverisë aktuale, goditjen e lirisë së fjalës, inflacionin dhe përkeqësimin e klimës së biznesit si disa nga arsyet kryesore.

Sipas një sondazhi të fundit të kryer nga Fondacioni Konrad Adenauer me seli në Gjermani. më shumë se 70 për qind e turqve të moshës 18-25 vjeç, thonë se do të preferonin të jetonin diku tjetër, ndërsa më shumë se 60 për qind deklarojnë se nuk shohin një të ardhme të mirë në Turqi.

Por një rrugëdalje nga kjo situatë nuk po kërkon vetëm popullata e re në moshë. Sipas një raporti të Partisë Popullore Republikane, opozita kryesore ndaj Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, Turqia është vendi i tretë në botë për numrin e milionerëve të larguar.

Raporti i publikuar në vitin 2021, theksonte se mbi 23.000 biznesmenë, duke përfshirë 10.000 milionerë, u larguan nga Turqia brenda 3 viteve të fundit. Në vitin 2020, largimi i kapitalit turk nga vendi arriti në thuajse 44 miliardë dollarë, një rritje kjo shumë e madhe në krahasim me vetëm 4 miliardë dollarë që u larguan në vitin 2012.

Por nuk ka qenë përherë kështu. Kur Erdogan mori për herë të parë postin e kryeministrit në vitin 2003, gjërat po shkonin mirë. Ekonomia turke po përparonte dhe shkalla e papunësisë po binte. 100-vjetori i republikës që kremtohet këtë vit supozohej të ishte festë e gëzueshme e një historie suksesi.

Por në vend të kësaj, “Turqia e Re” e Erdogan po rrëshqet gjithnjë e më shumë drejt autoritarizmit, thotë Ahmet Erdi Ozturk, profesor i asociuar i politikës në Universitetin Metropolitan të Londrës.  “Ne kemi parë disa valë emigracioni që kur u krijua republika turke. Por vala e fundit është shkaktuar nga shtypja e dhunshme që bëri qeveria ndaj demonstratave të vitit 2013 në Parkun Gezi të Stambollit, si dhe pas grushtit të dështuar të vitit 2016.

Që nga ajo kohë, njerëz të të gjitha prejardhjeve sociale po largohen nga vendi: studentët, profesionistët e rinj, personalitete të njohura, pjesëtarë të klasës së mesme të lartë, madje edhe grupimet fetare”- thotë Ozturk. Ata po i bashkohen një komuniteti në diasporë, që në dekadat e fundit është vendosur kryesisht në Evropë.

Sipas Ministrisë së Jashtme turke, më shumë se 6.5 milionë turq jetojnë aktualisht jashtë vendit. Dhe gjërat mund të mos përmirësohen. AKP e Erdogan po përballet me një fushatë të vështirë këtë vit, për shkak të mbështetjes në rënie në sondazhe, kryesisht për shkak të menaxhimin të dobët të ekonomisë së vendit.

Por 6 partitë kryesore të opozitës nuk kanë shpallur ende një kandidat presidencial për garën, dhe afati po skadon. “Që të rikthehen, njerëzit kanë nevojë për shpresë, për një transformim pozitiv. Në rast se ka një ndryshim të qeverisë dhe një proces restaurimi, mund të shohim rikthim të emigrantëve, por tani për tani shumica e njerëzve që u larguan nuk po shohin ndonjë shpresë për ndryshim. Duket se pas zgjedhjeve, mund të kemi një valë tjetër njerëzish që duan të largohen nga Turqia”- thotë Ozturk.

Ndonëse Ficici thotë se i pëlqen puna dhe jeta që bën në Holandë, shpreson që një ditë – në të 30-at ose 40-at – të jetë në gjendje të “ketë një jetë të mirë” në vendlindje. Ai e quan të pafat brezin e tij: “Ne ishim më të lumtur kur po rriteshim. Ekonomia po ecte më mirë, dhe familjet tona nuk jetonin në prag të mbijetesës financiare. Sot, shumica e njerëzve që njoh janë të tensionuar, jo vetëm për shkak të vështirësive ekonomike, por edhe për shkak të qeverisë. Pasi kemi frikë të flasim apo të ndajmë mendimet tona në mediat sociale. Ekziston një lloj frike kolektive që i bën njerëzit të duan të largohen”.

Eksodi i kohëve të fundit po i kushton Turqisë ndikimin që ka aktualisht. “Ne dëgjojmë kaq shumë njerëz që po flasin për emigrimin, dhe ky është një problem serioz. Ata janë kapitali më i rëndësishëm që ka Turqia dhe që aktualisht po shteron”- thotë Alper Coskun, bashkëpunëtor në think-tankun Carnegie Endowment for International Peace.

Sipas tij “shkëputja midis AKP-së dhe politikave të saj dhe brezit të ri është më se e dukshme, ndërsa mbështetja më e lartë për AKP-në manifestohet nga brezi i vjetër”. Gokçe Tunca, 39 vjeçe, më thotë se nuk është mbështetëse e udhëheqjes aktuale të vendit të saj. “Ne kemi parë të njëjtën qeveri për 2 dekadat e fundit. Ata kanë stilin e tyre, dhe ai nuk më pëlqen”- shprehet ajo nga Franca, ku jeton që nga viti 2019.

Një inxhiniere elektrike në profesion nga qyteti turk i Izmirit, Tunca aplikoi për një punë tek e njëjta kompani franceze për të cilën ajo kishte punuar tashmë në Turqi. Ajo mban lidhje me të paktën 20 turq të tjerë, të cilët ashtu si ajo, u larguan nga Turqia vitet e fundit dhe që tani janë vendosur me banim në qytetin jugor francez Grenoble.

“Nëse kushtet përmirësohen, patjetër që do të rikthehem në Turqi. Por tani për tani, ndihem e pafuqishme dhe e paaftë për të ndryshuar ndonjë gjë. Fuqia blerëse ka rënë vazhdimisht me kalimin e viteve, dhe unë nuk i besoj sistemit politik aktual. Kjo është një pjesë e arsyes pse vendosa të emigroj”- thotë ajo, por jo pa kthyer kokën pas. “Franca është një vend i mirë për të jetuar, por nuk është si shtëpia jote”- shprehet Tunca. /albeu.com


Shtuar 31.01.2023 17:44