Rakip Suli “skuq” Kamzën, 34 tenderë problematikë, 5.3 milionë euro jepen nën dyshime për korrupsion dhe shkelje të ligjit

34 tendera me ‘’Flamur të Kuq’’ janë dhënë nga Bashkia e Kamzës, për një periudhë kohore nga viti 2022 deri në shkurt të vitit 2023. Në total këto 34 tendera, kapin vlerën e rreth 5.3 milion eurove, për shërbimet që sipas bashkisë Kamzë janë bërë në këtë qytet.

Këto 34 prokurime tregojnë se janë në ekspozim apo rrezik të madh për sjellje të papajtueshme me ligjin. Por pavarësisht kësaj, numri I lartë I tenderave me flamur të kuq duket se është bërë rutinë në bashkinë e Kamzës, pasi edhe vitin 2023 e ka nisur me një tender që çalon, ku prokurues është ujësjellës kanalizime në këtë qytet.

Tenderat problematikë janë publikuar edhe në “Openprocurement”, institutin që kalon në sitë dhe monitoron tenderat në lidhje me praktika korruptive dhe mosrespektimit të ligjeve anti-korrupsion.

Panorama TV raporton se tenderi me vlerën më të madhe të prokuruar nga Bashkia e Kamzës dhe që është me Flamur të kuq, është për ndërtimin e rrugës Frutikulturë, që ka kushtuar 85 milion e 270 mijë lekë. Sipas “Openprocurement”, Flamuri I Kuq për këtë tender është vendosur për shkak se janë skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues përveç fituesit.

Një tjetër tender me Flamur të Kuq, është ndërtimi Rikualifikimi Urban i Rrugës “Kujtesa” që ka kushtuar 78 milion lekë. Në këtë tender kanë qenë 12 garues, por të gjithë janë skualifikuar përveç fituesit.

Ndërkohë për sa I përket tenderit për ndërtimin e rrugës Babrru Shpat, po ashtu janë skualifikuar të gjithë pjesëmarrësit në garë, por vetëm kompania Bami SHPK është parë e përshtatshme për të vijuar garën ku edhe është shpallur fitues.

Ky tender ka pasur një font limit 68 milion 834 mijë lekë. Fituesi ka kërkuar një vlerë shumë pranë fondit limit, konkretisht 64 milion lekë.


Shtuar 8.03.2023 12:52