Dita e parë si kryeministre! Çfarë pritet të ndodhë sot në Britani

Dita e sotme është e para për Liz Truss si kryeministre e Britanisë së Madhe.

Sot do të kryhen të gjitha procedurat për kalimin e detyrës nga Boris Johnson te Truss. Si fillim, kryeministri në largim Boris Johnson rreth orës 7:30 të mëngjesit do të mbajë fjalimin e lamtumirës jashtë Downing Street.

Ai dhe Truss më pas do të fluturojnë për në Aberdeen me avionë të veçantë për takimet e tyre me monarkun. Johnson do të arrijë atje fillimisht në orën 11:20 dhe do t’i dorëzojë zyrtarisht dorëheqjen e tij Mbretëreshës.

Pasi ai të largohet, pasardhësja e tij do të ftohet në takimin e parë privat me monarkun. Ajo do të shkojë në Balmoral rreth orës 12:10, kur do të emërohet kryeministre e ardhshme e Britanisë dhe do t’i kërkohet të formojë një administratë.

Pas gjysmë ore të saj me Mbretëreshën, Truss pritet të kthehet në Londër. Më pas ajo do të mbajë fjalimin e saj të parë si kryeministre rreth orës 16:00.

Ajo do të përshëndetet nga sekretari i kabinetit dhe do të duartrokitet nga stafi përpara se të shkojë në dhomën e kabinetit për të marrë informacione për sigurinë dhe inteligjencën nga nëpunësit civilë./Skynews/